VLORE- Qeveria shqiptare po vijon negociatat për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, të cilat Kryeministri Edi Rama i cilësoi të vështira, pasi siç tha ai, “duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”.

Në takimin e zhvilluar në Vlorë për sezonin turistik, Kryeministri u shpreh se “jemi në proces negociatash për ndërtimin e aeroportit të Vlorës”.

“Ndryshe nga çfarë u propagandua nuk ishte një pazar i mbyllur, por është një negociatë e vështirë, sepse ne duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh besimplotë se do ta mbyllim negociatën dhe do të fillojmë edhe punën për të ndërtuar aeroportin e Vlorës.

“Pastaj aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën sepse ndryshimi i flukseve do të jetë shumë i madh dhe nevojat e jashtëzakonshme për të rritur cilësinë e shërbimeve po ashtu. Në mbi 20 vjet këtu janë bërë investime të gabuara, pasi nuk kemi hotele të mirëfillta dhe vila të mirëfillta turistike, kemi shumë pak”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb