Gazetarja Klodiana Lala ka udhëtuar sot drejt Krujës, një nga vatrat e reja ku është përhapur me shpejtësi koronavirusi, ndërsa sjell përmes kamerës së ‘News24′ një histori njerëzore të një personi të prekur me virusin vdekjeprurës. Bëhet fjalë për një qytetar nga Kruja, shtetasin me inicialet SH.D., i cili prej 10 ditësh është izoluar në banesën e tij, ndërsa rezulton i prekur nga COVID-19.

Ai tregon për gazetaren Lala se si nisën simptomat e tij ndërsa dyshon se virusin e ka marrë në spital. Pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, qytetari duhet të përballet dhe me një tjetër shqetësim për të, pasi në një prej dhomave ka të izoluar edhe nënën e tij të moshuar, për të cilën nuk kujdeset dot. Ai pohon se gruaja e tij është bllokuar në Gjermani dhe për shkak të mbylljes së kufijve nuk mund të vijë. Qytetari i bën thirrje institucioneve shëndetësore, që dikush të kujdeset për nënën e tij.

‘BalkanWeb’ zbardh intervisten e plotë.
Si dhe kur ju shfaqën simptomat?
Kisha një kollë të hershme. Shkoja në spital një ditë po një ditë jo. E vetmja rrugë është që është marrë mikrobi. Po bëj mbi 10 ditë që kam pasur debolesë, djersë, dhe dhimbje trupi. Shkoja tek një pronë që kam çdo ditë, por ndjeja lodhje, dhimbje kyçësh. Më shkoi mendja tek ato simptomat që kemi dëgjuar dhe në televizor.

Keni frikë se mund të keni infektuar dhe të tjerë persona?
Vëllain kam frikë. Sot do vijnë t’i bëjnë tamponin. Nëna ime qëndron prej 1 jave e izoluar në dhomën tjetër. I kam çuar ndonjë gotë ujë, ndonjë gjë. Kam djalin e vëllait që mi sjell ushqimet, mi bën nusja e vëllait. I marr dhe i fus brenda.

Këtu vjen erë klor. Kush e ka dezinfektuar?
Se di se unë jam i izoluar mbi 10 ditë. Dua që të rishikohet pak puna e plakës. Pasi po më vdes aty. Unë pres që të përmirësohem nga sikleti i kësaj përkeqësohen këta të tjerët.

Sa e rëndë ishte sëmundja?
Faktikisht se këto lloj covid-i e kam kaluar nga janari ose dhjetori. Kam pasur të njëjtin grip më herët. Por në atë kohë nuk jam testuar.

Po familja e vëllait si është?
Vëllai nuk është mirë, se ai ka temperaturë 38 e gjysmë e 39. Nusja e vëllait dhe nipi janë mirë.

Keni ndonjë apel?
I bëj thirrje që të më shohin plakën. Unë them se do ta kalojë, se kam problem. Nga vet fiziku, se jam marrë me sport gjithë jetën, do e kaloj. Kam hallin e nënës.

A ndiheni të frikësuar se njerëzit mund t’ju stigmatizojnë?
Absolutisht. Nuk hyjë tek mentaliteti i njerëzve. Por ishalla largohet virusi njëherë e përgjithmonë, me shpresën e Zotit.

A mendoni se karantinimi në banesë është efektiv?
Po të kesh kushtet në banesë është mirë. Por më mundon plaka. Karantinimi në shtëpi është super. Gruaja ka ngelur 1 muaj e gjysmë në Gjermani.

Pse ka ngelur atje gruaja?
Ishte përkohësisht atje, shkoi te vëllai i vet. Kam dhe çunat atje. Unë jam vetëm me plakën. Ça ti bëj! Ka pasur fluturime, por s’ka kapur gjë. Nuk arrijnë të rezervojnë një dhomë hoteli.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb