Kryetari i përfaqësuesve të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviç, tha se kanë dorëzuar iniciativën për votëbesimin e Qeverisë së Malit të Zi.

Partia Demokratike e Socialistëve njoftoi më herët gjatë ditës së sotme se do të nisë një iniciativë për votëbesimin ndaj Qeverisë së Malit të Zi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Qeverisë dhe Kishës Ortodokse Serbe (KPS).

Përveç përfaqësuesve të asaj partie, në konferencë është e pranishme edhe Draginja Vuksanoviç Stankoviç, deputete e Partisë Socialdemokrate (SDP).

Zhivkoviç tha se ata nuk kontestojnë se çështja e Traktatit Themelor duhet të zgjidhet, por se kryeministri është sjellë si një njeri që nuk mund t’i besohet.

“Veprimet e sotme të Qeverisë dhe Abazoviçit nuk mund të kenë mbështetjen tonë, prandaj ne e kemi shpallur qëndrimin tonë për nënshkrimin e një kontrate të tillë me Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë Zhivkoviç.

Ai tha se iniciativën e kanë nënshkruar SDP, Mehmed Zenka, Partia Liberale dhe Socialdemokratët.

Duke folur për arsyet e votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë, Zhivkoviq tha se Qeveria e 43-të kishte detyrë prioritare që të krijojë parakushtet që në bazë të reformave të mëtutjeshme të sistemit gjyqësor dhe forcimit të sistemit të sundimit të ligjit, do të intensifikohej procesi i integrimit të Malit të Zi në BE, do të konsolidoheshin mundësitë ekonomike dhe do të riorganizohej sistemi shëndetësor në kushtet e pandemisë së Covid-it, por që rezultatet konkrete mungonin.

Ai theksoi se gjendja e ekonomisë malazeze dhe gjendja epidemiologjike në vend janë përkeqësuar edhe më shumë, dhe procesi i mëtejshëm i integrimit në BE është vënë në pikëpyetje.

“Kryeministri, duke injoruar pikëpamjet e institucioneve më të rëndësishme shkencore, përfshirë CANU-në si dhe ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile, duke injoruar me vetëdije pasojat e mundshme të veprimeve të tilla në situatën e përgjithshme në Mal të Zi, vendosi çështjen e marrëdhënieve me Kishën ortodokse serbe në plan të parë”, tha Zhivkoviç.

Ai vlerësoi se qeveria aktuale e ka humbur legjitimitetin për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviçit, e cila rezulton me rritjen e tensioneve në shoqëri dhe humbjen potencialisht të pariparueshme të kohës, e cila është e nevojshme për përmbushjen cilësore të obligimeve nga agjenda evropiane.

“Për të gjitha sa më sipër, për të mbrojtur interesat jetike të Malit të Zi dhe për të ruajtur mundësinë që vendi të ecë me shpejtësi drejt integrimit në BE, ne po paraqesim një iniciativë për votim mosbesimi ndaj Qeverisë së 43-të”, tha ai.

Ai theksoi se kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për 19 gusht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb