Stafi në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia “po punon nën tytat e armëve ruse”, ka thënë ambasadori i Ukrainës në mbikëqyrjen bërthamore të OKB-së.

Yevhenii Tsymbaliuk tha se forcat ruse bombarduan kompleksin në Ukrainën jugore për të shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe se dëmtimi i objektit nënkuptonte se çdo rrezatim nuk mund të zbulohej.

Z. Tsymbaliuk foli në Vjenë ndërsa alarmi ndërkombëtar për sulmet e artilerisë së fundjavës në kompleksin Zaporizhzhia u rrit, me Kievin që paralajmëroi rrezikun e një katastrofe të stilit të Çernobilit.

“Nëse diçka ndodh, do të ketë pasoja të mëdha jo vetëm për Ukrainën, ndoshta e gjithë Ukraina do të kontaminohet, por edhe për Evropën”, u tha Tsymbaliuk gazetarëve, duke shtuar se kjo nuk do të ishte “absolutisht e krahasueshme as me Çernobilin”.

Z. Tsymbaliuk tha se sulmet ruse mbi objektin kishin goditur karburantin e harxhuar bërthamor dhe kishin dëmtuar tre sensorë të monitorimit të rrezatimit përreth zonës, duke shtuar: “Situata duket sikur stafi ukrainas po punon nën tytat e armëve ruse”.

“Okupatorët rusë synojnë të shkatërrojnë infrastrukturën e uzinës, të shkaktojnë dëme në të gjitha linjat e transmetimit – dhe ato përdoren për të transportuar energji elektrike në rrjetin ukrainas – dhe për të shkaktuar ndërprerje në jug të Ukrainës,” shtoi ai.

Ambasadori ukrainas tha se Kievi do të përdorë të gjitha kanalet diplomatike që mundet për të lejuar një mision ndërkombëtar në uzinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb