Një seri vdekjesh dhe zhdukjesh misterioze që përfshin njëmbëdhjetë shkencëtarë të shquar në SHBA ka rikthyer shqetësimin në qarqet politike dhe shkencore, ndërsa figura të larta, përfshirë presidentin Donald Trump dhe anëtarë të Kongresit, kanë kërkuar përgjigje dhe hetime të thelluara mbi lidhjet e mundshme mes rasteve.
Në qendër të kësaj historie qëndron rasti i Amy Eskridge, një studiuese 34-vjeçare në fushën e teknologjisë antigravitacionale, e cila u gjet e vdekur më 11 qershor 2022 në Huntsville, Alabama. Rasti u klasifikua si vetëvrasje, por zhvillimet e fundit kanë ngritur dyshime serioze mbi rrethanat e vdekjes së saj.
Sipas Frank Milburn, një ish-oficer britanik i inteligjencës që pretendon se ishte në kontakt me Eskridge para vdekjes, studiuesja kishte dërguar mesazhe ku mohonte çdo mundësi vetëvrasjeje. Në një prej tyre, ajo shkruante se nëse do të raportohej si vetëvrasje apo mbidozë, kjo nuk do të ishte e vërtetë.
Milburn ka deklaruar gjithashtu se Eskridge dhe kolegët e saj, të përfshirë në kërkime mbi motorë të avancuar dhe energji, ishin objekt i kërcënimeve dhe përndjekjeve të vazhdueshme. Ai shtoi se vetëm pak orë para vdekjes kishte folur me të dhe nuk kishte vënë re asnjë shenjë shqetësimi.
Një tjetër element që ka tronditur opinionin janë pretendimet e Eskridge për lëndime të shkaktuara nga një armë me energji të drejtuar, e aftë të shkaktojë djegie dhe dëme fizike. Ajo kishte dërguar foto të plagëve në pjesë të ndryshme të trupit, si dhe dëmtime në ambientet e banesës së saj.
Sipas disa pretendimeve, një kompani private e hapësirës ajrore mund të ketë qenë e interesuar të pengonte kërkimet e saj, të cilat lidhen me zhvillimin e teknologjisë antigravitacionale – një fushë që mund të revolucionarizojë industrinë e energjisë dhe udhëtimet në hapësirë.
Megjithatë, familja e saj hedh poshtë teoritë e dyshimeve. Babai i saj, Richard Eskridge, ka deklaruar se vdekja nuk duhet konsideruar e dyshimtë, duke theksuar se vajza e tij vuante nga dhimbje kronike dhe se “shkencëtarët vdesin si të gjithë të tjerët”.
Rasti i Eskridge u diskutua edhe në një seancë dëgjimore në Kongres gjatë vitit 2023 mbi fenomenet ajrore të pashpjegueshme (UAP), ku ligjvënësit kërkuan përfshirjen e FBI për të hetuar zhdukjet dhe vdekjet në komunitetin shkencor.
