Masakra  e ndodhur një ditë më parë në Klos, ku humbën jetën 3 persona dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur, ka tronditur opinion publik dhe është bërë temë e ditës.

Fiqiri Mjeshtri ekzekutoi me armë zjarri babë e bir, Ilir dhe Kenado Shira, si dhe la të plagosur babë e bir, Eglantin dhe Renato Hasula, ndërsa më pas i dha fund jetës.

Ngjarja ndodhi për shkak se dy të rinjtë kishin ngacmuar dhe shantazhuar në rrjetet sociale vajzën e adoleshente të viktimës, duke i kërkuar që të bënte çfarë t’i thonin ata ose për ndryshe do t’i publikonin foto personale në rrjet.

Mbrëmjen e sotme, i ftuar në emisionin “Open”, Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA, tha se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të keni njohuri dhe të dinë se rrezikojnë nëse shkëmbejnë foto intime në komunikimet që mund të kenë në rrjetet sociale, ndërsa tha ngjarjen e konsideroi një tragjedi ku shoqëria imponon vendosjen e nderit në vend.

Ai tha se kemi të bëjmë me një shoqëri që pret që burrat dhe djemtë të vënë në vend nderin e vajzave dhe grave të familjes, duke u dhënë këtyre të fundit një rol dytësor, sikur të mos kenë të drejtën e fjalës.

Ai tha se nëse në këtë takim nuk do të kishin shkuar baballarët për t’u sqaruar, por nënat dhe vajza dhe djemtë, nuk do të kishte pasur viktima.

“ Sot shumica e adoleshentëve komunikojnë online, përfshirë dhe foto nudo. Duhet mësuar të gjithëve fëmijëve që të mos shkëmbejnë foto intime, dhe tjetra që nuk duhet të përdorësh asnjë foto që mund të kesh për shantazh. E para nuk u përpoq njeri t’i ulë ata dy adoleshentë bashkë dhe ti shpjegojnë, e dyta, po të ishin ulur nënat e atyre fëmijëve, do kishin vrarë njëri? Ajo që ka ndodh përtej realitetit, është agresion mashkullor në një shoqëri të mbyllur që pret që burrat dhe djemtë të shkojnë të vrasin kur u prishet nderi dhe se gratë trajtohen si të dorës së dytë. Kjo është shoqëria tradicionale që i shpie njerëzit në vrasje. Janë rolet gjinore që ty si mashkull të shkosh të vrasësh sepse duhet të brosh gruan, motrën, vajzën, sikur ato s’kanë të drejtë fjale”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: