Nënkryetari i Kuvendit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin Kjo Javë në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda opozitës dhe vizitën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjekmarkaj deklaroi se vizita e Berishës përtej oqeanit dhe takimet e tij me zyrtarë të lartë amerikanë, senatorë e kongresmenë, konfirmojnë se pengesa e vendosur ndaj tij nuk ekziston më.
“Nëse Sali Berishës nuk do t’i kishte ikur ‘Non Grata’, Sali Berisha nuk shkonte në Amerikë. Ai nuk mund të shkonte atje si i padëshiruar dhe të takohej me Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, me kryetarin e Partisë Republikane apo me një pafundësi senatorësh e kongresmenësh,” u shpreh Gjekmarkaj.
Sipas deputetit të PD-së, ky zhvillim përbën një ngjarje me rëndësi jo vetëm për opozitën, por për të gjithë vendin, pasi i jep fund një paradoksi politik ku partia më e madhe opozitare e krijuar mbi vlerat perëndimore kishte të bllokuar komunikimin me aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë.
“Sigurisht që kjo është një ngjarje e madhe. Pikë së pari është një ngjarje e madhe për kombin shqiptar sepse Sali Berisha është një personalitet i kombit shqiptar, jo thjesht i Partisë Demokratike sepse ju i dini kontributet e tij në shtetformimin modern të Shqipërisë nga 1990 dhe deri këtu. Është një ngjarje e madhe për Partinë Demokratike sepse ka hequr një pengesë e cila ishte një pengesë tragjike, e vështirë që nuk mundësonte komunikimin e lidershipit të Partisë Demokratike dhe të Partisë Demokratike me aleatin tonë qëndror. Ky ishte një paradoks sepse Partia Demokratike është ajo që e ka kthyer Amerikën nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Ka qenë pikërisht Sali Berisha ai që ka udhëtuar i pari dhe ka sjellë këtu James Baker, me vonë presidentin Bush apo Shqipëria në NATO. Pra janë një sërë relacionesh që e kthenin këtë në një situatë paradoksale. Dhe së fundmi është një fitore personale e Sali Berishës që ka luftuar për një kauzë edhe kur rrethanat kanë qenë kundër tij, edhe kur situata ka shkaktuar polemika, konflikt, ai ka besuar tek e vërteta e vetë, tek e drejta dhe koha dhe historia dëshmoi që ishte një vendim i lobuar dhe u rrëzua si i tillë, sepse Shtetet e Bashkuara e kanë aftësinë të vetë korrigjohen.
Sali Berisha është njeri si të gjithë të tjerët dhe ka hidhërimet dhe satisfaksionet. përjeton padrejtësi dhe drejtësitë si çdokush tjetër, por unë e shoh në një optikë më gjerë. E shoh si një ngjarje që jep dinjitet kombit shqiptar, Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe Politikës Shqiptare, ku themeluesi i opozitës së parë Demokratike, njeriut që vendosi marrëdhënie me Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njeriut që shkoi dy herë në shtëpinë e bardhë, njeriu që priti presidentin në Bush, që ishte faktori kryesor në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në pikëpamjen e diplomacisë kombëtare dhe ndërkombëtare. njeriu që loboi më së shumti që kufijtë e Kosovës mos tjetërsoheshin në vitet e fundit. Pra, ishte dhe është një personalitet i cili korrelacion me historinë dhe me kombin dhe unë përpiqem ta shoh si një ngjarje kombëtare më të madh sesa tek individi apo personaliteti Sali Berisha”, u shpreh ai.
