Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje anëtarëve të partisë që të marrin pjesë në votimin e nesërm për votëbesimin e kryetarit, duke e cilësuar procesin si një nga format më moderne të demokracisë së brendshme partiake.

Në një deklaratë për mediat, Berisha i përshëndeti anëtarët e Partisë Demokratike dhe i ftoi të votojnë “në liri të plotë dhe sipas vullnetit të tyre”. Ai theksoi se sistemi “një anëtar, një votë” përfaqëson, sipas tij, nivelin më të lartë të zgjedhjes ose konfirmimit të drejtuesve të partive. Sipas tij, ky mekanizëm garanton transparencë dhe përfshirje të plotë të anëtarësisë, ndërsa e krahasoi me praktikat e partive të tjera politike në vend.

Berisha shtoi se çdo demokrat duhet të ndihet krenar që merr pjesë në një proces të tillë, të cilin e quajti “më modernin aktualisht”. Kreu i opozitës u shpreh se shpreson për pjesëmarrje sa më të lartë të anëtarësisë në procesin e votimit të nesërm.

“Së pari e shfrytëzoj këtë rast të përshëndes përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike kudo që janë dhe t’i ftoj në një akt përgjegjësie, në një akt vlerësimi për qëndresën e tyre, për qëndrimet e tyre, të votojnë nesër në liri të plotë, sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre, në një proces i cili përfaqëson nivelet më të larta të konfirmimit apo zgjedhjes së kryetarëve të partive.
Procesi i zgjedhjes me një anëtar një votë apo i votëbesimit me një anëtar një votë, është forma më epërore e cila për hir të së vërtetës, në 70-75% të rasteve që përdoret, është me një kandidat.
Jo se ajo nuk është e hapur, ajo është plotësisht e hapur, por sepse të tjerë, personalitete të tjera, ngurojnë një garë ‘një votë një anëtar’ për arsye të pasigurisë që ka ajo në rezultatin e fitores dhe nuk duan të përballen të regjistrojnë një jo-fitore.
Por duhet të jenë krenarë, çdo demokrat dhe demokrate duhet të jetë krenar, se nesër voton në zbatim të një procesi që është aktualisht procesi më modern, në një kohë kur partia e krimit nga 2009 e gjer sot e ka fshirë fjalën votë nga fjalori i vet. Kjo është!
Tani, sa do votojnë? Unë uroj të votojnë çdo anëtar dhe anëtare e Partisë Demokratike.”, tha Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: