Ish-deputeti Myslim Murrizi ka mohuar akuzat e ngritura nga policia në një lidhje telefonike për News24. Murrizi tha se pasuria e tij është e deklaruar dhe nëse do kishte ndonjë paqartësi apo dyshim për mosdeklarim pasurie do të kishte qenë ILDKPI që do kishte reaguar apo kallëzuar rastin në prokurori. Sa i përket vendimit të Gjykatës së Apelit në vitin 2006, ku e dënonte për mitmarrje, ai deklaroi se ka marrë pafajësinë nga Gjykata e Lartë.

“Desha të di kush është e vërteta e policisë. Unë nuk kam njoftim zyrtar. Myslim Murrizi nuk kryen transaksione, është një nga dy aksionerët e ‘Murrizi 2009’. Nuk jam administrator dhe nuk kam tagër të bëj transaksione. Çdo mosdeklarim i imi nëse ka ndodhur në kohën që kam qenë deputet nuk është tagër i krimit ekonomik, por ILDKPI-së. Nëse do mendonte se Murrizi kishte fshehur lëvizjet bankare do kishte një kallëzim nga ILDKPI.


Ju ftoj të mos e merrni të mirëqenë deklarimin tim, por të pyesni ILDKPI a ka pasur probleme deklarimi im i pasurisë.
Gjatë kohës që unë kam qenë deputet, nuk është subjekt i Tonin Vocit dhe atij halabakut që drejton krimin ekonomik, sekseri Memushi. Deputeti është subjekt i Gjykatës së Lartë kur ka çështje, i SPAK dhe i GJKKO në institucionet e reja të drejtësisë dhe pasuria verifikohet nga ILDKPI, jo nga sigurimsat.
Paratë e kujt kam pastruar? Rama me Bashën i kanë lavatriçet e tyre. Në 31 vite aty kam qenë dhe kam qenë dhe herë tjetër i verifikueshëm. Ajo që shoh, është një dashakeqësi e një grushti fundërrinash. Unë figurokam i dënuar, zagari Tonin Voci…Ju ftoj të shikoni vendimin e Gjykatës së Lartë që është pafajësia e Murrizit. Ka qenë një ngjarje tjetër e stisur nga fëlliqësirat e asaj kohe. Unë kam marrë pafajësinë në Gjykatën e Lartë. Nuk i jam fshehur Gjykatës së Lartë me leje lindje si Basha apo me imunitetin e kryetarit të opozitës si Rama.
Murrizi është aksioner 50% tek firma ‘Murrizi 2009’. Kam qenë aksioner tek Justiniani I. Kam qenë aksioner në një televizion. Të gjithë pasurinë time e kam deklaruar. Murrizi në 30 vite nuk ka konkurruar dhe as ka fituar nga paratë publike. Dy shoqëritë ku kam qenë aksioner kontrolloheshin nga Tatimet.
Me neveri i refuzoj ato akuza. A ka ndonjë biznes legal zoti Vocaj që ka studiuar e bija 4 vjet në Francë, si mund ta çojë?!”, tha Murrizi.

Lidhur me motivet e këtij kallëzimi, nëse ka diçka pas tij, ai tha se nuk është beteja e parë e tij dhe se nuk intimidohet.
“Nuk di se çfarë të them. Po në 30 vite nuk është beteja e parë dhe nuk do hesht. Murrizi ka ikur nga KLSH në 2005 dhe për atë kallëzim që policia i referohet kam marrë pafajësi.
Gjykata e Lartë i ka dhënë pafajësi Murrizit dhe unë nuk kam qenë deputet.
Mirëpres çdo lloj kallëzimi të kujtdo fundërrine që mendon se mund t’i mbyllë gojën Murrizit. Do bëj gati menjëherë një padi për atë që deklarojnë se kam qenë i dënuar. Nuk fshihem, si ata që janë dënuar jashtë shtetit dhe fshihen si qen. I kam deklaruar të gjitha në formularin e dekriminalizimit. Kam qenë i qartë në atë që kërkonte ligji dhe i qetë sepse s’kam asnjë dënim në RSH.
Kësaj policie që i mbushen kontejnerët me drogë, që i vriten qytetarët, që grabiten fonde të BE-së, që nuk guxon të merret me ish-ministra, por paska kohë të merret me 60 mijë euro e përçmoj me neveri.
Ish-sigurimsi Tonin Vocaj, i grupit çiftelia, Mond Rizai, Rebani Memushi dhe ata ish-sigurimsa që drejtojnë Policinë e Shtetit nuk mund të më intimidojnë”, tha Murrizi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb