Për të diskutuar dhe koordinuar sa më mirë punën e institucioneve për furnizimin e popullatës me dru zjarri në sezonin dimëror, si dhe për të shmangur në maksimum abuzimin me pasuritë pyjore, Prefekti i Qarkut të Korçës organizoi një takim në nivel qarku, me pjesëmarrjen e drejtuesve të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore dhe përfaqësuesve të sektorëve vendorë përgjegjës për pyjet, Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Shtetit, përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, si dhe disa subjekteve private që operojnë në fushën e furnizimit dhe tregtimit të druve të zjarrit për ngrohje.

Prefekti Nertil Jole theksoi në këtë takim detyrimin që kanë të gjitha bashkitë për të zbatuar rigorozisht legjislacionin në fuqi, për të hartuar e miratuar Planet e Mbarështimit të Ekonomive Pyjore, të vlefshme për 10-vjet, që janë dokumentet bazë për qeverisjen, zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve.

Gjithashtu, ai theksoi një detyrim tjetër që kanë bashkitë, që është hartimi i planeve operacionale vjetore, të cilat garantojnë planifikimin e punimeve, zbatimin, kontrollin apo monitorimin e planeve të mbarështimit për fondin pyjore, publik apo privat, brenda territorit të tyre administrativ.

Jole tha se një zgjidhje e qëndrueshme afatmesme e afatgjatë, së pari do të garantonte kapacitete më të mëdha grumbulluese për sigurimin e druve për zjarr, si dhe do të stabilizonte tendencën e rritur të çmimit për një metër stere dru zjarri, që është një shqetësim i drejtë i qytetarëve.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Prefekti i qarkut të Korçës bëri të ditur se u dakortësua që së shpejti, të organizohet një takim në Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit, në prani të specialistëve të ministrisë dhe specialistëve të bashkive, me qëllim analizën e aspekteve të nevojshme për një amendim ligjor. Amendimi ligjor do të krijonte hapësirën për të lejuar që sasitë e druve të zjarrit që sigurohen nga subjektet e licencuara të cilat ushtrojnë këtë aktivitet në ato bashki që i grumbullojnë me tepricë, të kenë një destinacion të përcaktuar në bashki të tjera për t’i shitur. Ndërhyrjet e propozuara do të rrisin mundësinë e furnizimit, do zgjerojnë mundësinë e konkurrencës dhe do të ndikojnë në stabilizimin e çmimit të shitjes së druve të zjarrit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb