Kamera e News24 ka qenë sot në fshatin Mallkuç të Fushë-Krujës ku ka parë nga afër gjendjen e krijuar nga përmbytjet. Gazetari Erjon Skëndaj ka sjellë zërat e familjes Caka, e cila është prekur nga përmbytjet në shtëpinë të dëmtuar më parë nga tërmeti.

Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se familja Caka ka ngritur ato orendi që të mos lagen nga uji që ndodhet në oborr të shtëpisë. Ai tha se frika është e madhe gjatë natës sepse ka rinisur shiu.

“Tërmeti njëherë e tani përmbytjet. Nuk na ka ardhur kush”, tha e moshuara mbi 80 vjeç që jeton në këtë banesë.

Djali i saj, tha se ka vendosur stola poshtë krevatit për ta ngritur më lart nëse vjen uji dhe se nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

“I kam ngritur lart. këtu kemi 40 vjet që jetojmë në tokën tonë. Kam fjetur në dëngje. Nëna ka fjetur këtu në hava. I kam vënë këto stolat. Nuk kam çfarë të bëj. S’më ka pyetur kush se ku jam, s’më ka dhënë kush një ndihmë. Na e prishi tërmeti, i kam vënë kolona vetë. Po cofin krerët e bagëtive. Në dëngje kam për të fjetur. Dje pa gjumë, sot pa gjumë. S’mund të dal në xhade, jam bazuar në këtë blegtori”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb