Një ditë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Gjilanin dhe jo vetëm, ku një punonjëse e policisë vrau me armën e shërbimit prindërit dhe dy vëllezërit dhe më pas u vetëvra, gazetarja Dorjana Bezat bashkë me një grup xhirimi të ‘News24’ kanë udhëtuar drejt vendit të krimit. Ngjarja e ndodhi pasditen e djeshme në lagjen Bujanina.

Në një lidhje direkte për ‘News24’ nga ambientet e jashtme të banesës ku ndodhi krimi i 5-fishtë në Gjilan, gazetarja Dorjana Bezat tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes. Ajo pohoi se gjithçka ndodhi brenda vilës 3-katëshe ku në rrethana ende të paqarta Valdete Bllaca, efektive në postën e Policisë së Gjilanit, qëlloi me pistoletë duke vrarë babain, Zeqir Bllacn, 70 vjeç, nënën, Hanife 66 vjeç dhe dy vëllezërit Blerim dhe Fisnik, 43 vjeç dhe 34 vjeç.

Bezat raportoi se deri më tani grupi hetimor ka dyshime se shkak i ngjarjes janë bërë problemet psikologjike që ka shfaqur 45-vjeçarja, si dhe një konflikt i mundshëm për një pronë, konkretisht shtëpinë e familjes. Mësohet se Valdete Bllaca punonte prej 18 vitesh në Policinë e Kosovës, dhe 3 vitet e fundit ishte transferuar nga Prishtina në postën e Policisë së Gjilanit, për shkak të problemeve me shëndetin mendor. Kështu, nga një punonjëse me uniformë, Valdetja ishte emëruar punonjëse civile në zyrat e postës së Policisë së Gjilan. Ndonëse i ishte hequr uniforma, në kundërshtim me ligjin, 45-vjeçarja mbante ende armën e shërbimit, me të cilën kreu dhe aktin ekstrem, duke ekzekutuar ata që i dhanë jetën dhe vëllezërit e saj si dhe më pas i dha fund jetës.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Lidhur me këtë ngjarje të përmasave tragjike, janë pezulluar nga detyra 4 punonjës të Postës së Policisë së Gjilanit, përfshi këtu dhe komandantin e saj. Sipas Bezat, përgjatë këtyre viteve Valdete Bllaca kishte shfaqur probleme me sjelljen me kolegët, si dhe me qytetarët që merrnin në këtë postë shërbim, por asgjë nuk ishte dokumentuar, që mund të çonte dhe në parandalimin e kësaj ngjarje. 45-vjeçarja jetonte bashkë e prindërit dhe dy vëllezërit e saj beqar në të njëjtën shtëpi, ndërsa e vetmja që punonte ishte ajo. Dorjana Bezat pohon se shkak mund të jetë bërë dhe një konflikt pronësie, pasi pas shtëpisë ku jetonte familja Bllaca, ata kishin dhe banesën e vjetër. Bezat raporton se kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë njoftuar policinë, ndërsa kur kanë shkuar në banesë janë përballur me pamjet e tmerrshme. Të gjithë të shtrirë përtokë të pajetë, ndërsa Vadetja pak metra më tutje e vrarë dhe me armën e krimit në dorë.

Aktualisht trupat e 5 anëtarëve të kësaj familje janë në morgun e Gjilanit, ku i janë nënshtruar dhe ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë që grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku po hetohet në lidhje me zbardhjen e saj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb