Piloti i njërit prej helikopterëve që po operojnë në territorin e Vlorës për të normalizuar situatën e zjarreve, në një intervistë të dhënë për gazetarin e “News 24”, Enrik Mehmeti, ka treguar situatën e tanishme dhe të gjithë itinerarin e ndjekur prej tyre.

Teksa ishin duke patrulluar në zonë, piloti tregoi për gazetarin Mehmeti se situata aktualisht është ende e vështirë, megjithatë sipas tij, në fshatin Gjorm të Lumit të Vlorës, edhe pse zjarret nuk janë shuar plotësisht, ka rënë rreziku për banesat dhe qytetarët.

Sipas tij, helikopterët që po operojnë, të modelit “Viva Helicopter” janë nga më të mirët në Evropë dhe kanë një kapacitet prej 1.500 litrash ujë. Piloti sqaroi se operacionet për ta bëhen të vështira, për shkak të prezencës së tymit dhe erërave të forta. Ai theksoi se do të ndalojnë operacionin gjatë mbrëmjes, për të nisur sërish në të zbardhur.

“Në orët e para të mëngjesit, kompania jonë ka vendosur në dispozicion 2 helikopterë. Situata ishte tepër e vështirë, e gjithë zona ishte mbuluar me tym e flakë, por falë reagimit të kompanisë që janë gjermanë, bëmë të mundur që të mos ketë asnjë shtëpi dhe zonë private të dëmtuar. Kompania jonë është një kompani shqiptare-gjermane, që ka fuqi të ngre 1.500 litra ujë e janë helikopterët më të mirë që përdoren në BE për shuarjen e zjarreve.

Ne kemi operuar më shumë në Karaburun, e më pas kemi ardhur në fshatin Gjorm, ku situata ishte e vështirë. Zona që bëjmë operacione ka shumë tym, ka zonë me shumë qymyr. Nuk themi që flakët mund të mbarojnë për 2 apo tre ditë, por situatën e kemi në kontroll. Gjatë natës nuk operojmë dot, sepse operacionet janë të vështira”, tha Piloti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb