Nga: OLA MITRE*

TIRANE- Prej datës 16 prill 2015, 992 mjekë, farmacistë dhe stomatologë do të duhet të lenë vendin e tyre të punës. Pas përpunimit të rezultateve përfundimtare nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim rezulton se ata kanë marrë “0” kredite gjatë ciklit 5-vjeçar (2010-2014) të ricertifikimit e për pasojë duhet të përballen me sanksionet që parashikohen në urdhrin e muajit korrik, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Shifra e mësipërme i takon personelit shëndetësor në sistemin publik dhe atë privat, ndërkohë që me sanksione do të përballen edhe rreth 1400 të tjerë profesionistë të shëndetësisë. Kjo, pasi ata nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Pak ditë më parë, QKEV publikoi listën përfundimtare me rreth 7600 mjekë, dentistë dhe farmacistë, të cilët kishin përmbushur detyrimet e për pasojë e kanë të ‘sigurt’ vendin e punës.

SANKSIONET
Sipas vendimit me nr. 295, datë 08.07.2014, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, profesionistëve të sistemit publik, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca, ndërsa që prej ditës kur njoftohen nga QKEV, drejtuesit e institucioneve shëndetësore kanë përgjegjësinë për shpalljen e vendit vakant. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Për profesionistët e sektorit privat, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërkohë që, profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve iu pezullohet licenca. Ata fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit.

VENDIMET E BORDIT
Në vijim të vendimit të mësipërm, pak javë më parë u mblodh edhe Bordi Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, i cili përcaktoi se provimi i ricertifikimit do të zhvillohet brenda gjashtë muajve, duke filluar që nga data 15 prill 2015. Po ashtu, brenda datës 15 prill 2015, urdhrat e profesionistëve dhe fakultetet përkatëse të Universitetit të Mjekësisë, në bashkëpunim me shoqatat e profesionistëve të shëndetit do të hartojnë programet orientuese për të gjitha kategoritë e profesionistëve që do të duhet t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb