Aventura e Skënderbeut në Kategorinë e Parë zgjati vetëm një sezon. Në fund të edicionit 2025-2026, bardhekuqtë siguruan rikthimin në Kategorinë Superiore, duke përmbushur objektivin kryesor të klubit korçar. Megjithatë, ngjitja nuk erdhi plotësisht e ëmbël. Skënderbeu kryesoi kampionatin nga java e parë deri në javën e 32-të, por në fund humbi mundësinë për t’u shpallur kampion.
Disfata dramatike ndaj Laçit me gol në minutën e 96-të u kushtoi korçarëve jo vetëm trofeun, por edhe shpërblimin prej 30 milionë lekësh që FSHF akordon për fituesin e Kategorisë së Parë. Menjëherë pas përfundimit të sezonit, lajmi i parë nga kampi bardhekuq ishte mbyllja e bashkëpunimit me trajnerin Ernest Gjoka. Që prej asaj dite, stoli i Skënderbeut ka mbetur vakant dhe në Korçë ka nisur “audicioni” për trajnerin e ri të Superiores. Emri i parë i lakuar ishte ai i Julian Ahmatajt, një figurë e njohur për klubin, pasi ka drejtuar më parë korçarët. Më pas në skenë doli edhe ish-kapiteni Bledi Shkëmbi, aktualisht trajner i Strugës në Maqedoninë e Veriut.
Lista e kandidatëve nuk ndalet këtu. Në ambientin korçar është përfolur edhe emri i Mirel Josës, trajnerit kampion me Skënderbeun, i cili pritet të largohet nga Bylisi pas rënies së ballshiotëve në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit po shqyrtojnë edhe alternativa të huaja. Flitet për kontakte me një trajner serbo-kroat, megjithëse ende nuk ka emra konkretë dhe gjithçka mbetet në kuadrin e zërave të merkatos. Vendimi final i takon presidentit Ardian Takaj, i cili pritet të zgjedhë “timonierin” e ri për projektin e Skënderbeut në Superiore. Në Korçë synimi është i qartë: jo vetëm mbijetesa, por rikthimi i klubit te koha e lavdishme e titujve dhe dominimit në futbollin shqiptar.
