Kryeredaktorja e News24, Anila Jole, e ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa ka komentuar disa nga ngjarjet më të rëndësishme që i janë paraqitur opinionit publik gjatë vitit që po lëmë pas.

Duke komentuar situatën mes drejtësisë dhe zhvillimeve politike, ajo theksoi se fakti që SPAK po kthehet në kryefjalën e ditës është një lajm i mirë.

Sa i përket zhvillimeve brenda opozitës, ajo tha se akuza për ish-kompleksin “Partizani” ndaj Berishës ka dobësuar pozitat e këtij të fundit, gjë që sipas saj është pasqyruar edhe te pjesëmarrja në protestat e fundit.

“Fakti që SPAK po kthehet në kryefjalën e ditës dhe po ka frikë çdo politikan e forcë politike është një lajm i mirë. Nëse drejtësia do vendoset në krye të piramidës, kjo është një gjë e mirë.

Mendoj se SPAK ka mbështetjen totale të SHBA-ve, krijesë së cilës është. Ka pasur çdo mbështetje nga SHBA dhe s’ka pse të jetë në tension. Vetë Dumani e ka bërë të qartë që nuk e trembin presionet e politikës. Vërtet kam besim që SPAK i shkon deri në fund asaj që ka nisur.

Shpallja non-grata e Berishës nga SHBA solli gjithë pasojat e tjera. Akuza ndaj tij për ish-kompleksin Partizani e ka dobësuar edhe më shumë pozitën e tij. Të besuarit e tij nuk janë më aq pranë, kjo u pa edhe me protestat e fundit që zhvilloi. PD është copëzuar vërtet, Bashën nuk e shoh të aktivizuar, as për të përfituar nga kjo situatë. Më ambicioz më duket Gaz Bardhi.

Vendimi për arrestin në shtëpi ndaj Berishës ishte i pritshëm. Ajo që mbetet për t’u parë është çfarë do ndodhë në jetën politike të opozitës dhe Berishës. Këto janë lajme të mira për mazhorancën socialiste, por dëmi më i madh i bëhet popullit. Mungesa e një alternative të vërtetë pasqyrohet aty”, u shpreh ajo mes të tjerash.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: