Zëvendëskryeredaktori i Gazetës Panorama, Arestir Lumnezi, i ftuar në rubrikën “Opinion” “News 24”, ka komentuar zhvillimet politike në vend, që nga arrestimi i ish-ministrit Lefter Koka dhe situatën në PD.

Lumnezi tha se duket naive që një aferë kaq e madhe të jetë një ‘gol’ vetëm i ministrit dhe theksoi se kjo çështje duhet hetuar nga SPAK deri në fund.

“Politika ndihet e lumtur në një anë pasi akuzat e ngritura, por edhe depozitimet penale që janë bërë në SPAK janë kurorzuar në një farë mase. Sa i takon pjesës së drejtësisë duhet të njihemi me dosjen e plotë të SPAK-ut. Bazuar në njoftimet që SPAK ka bërë për rastin konkret janë akuza ku janë shumë kontradiktore etapat dhe procedurat e bëra, mban erë korrupsion. Nuk është procedurë normale, me garë, me konkurrentë, por brenda 24 orëve janë dhënë 17 vendime për të njëjtën objekt. Kujtdo mund t’i lindë dyshime në këto kushte që mund të ketë një aferë. Jemi besimplotë për sepse kjo është drejtësia e re që ne shqiptarët nuk ishim të zotët ta bënim.

Uroj që SPAK të mos tërhiqej e do e çojë deri në fund. Naive që një aferë kaq e madhe të ketë qenë goli një ministri, apo autogoli i qeverisë. Bashkitë detyrohen të paguajnë për çdo ton dhe shteti është i detyruar për ta blerë energjinë. Kjo është një biznes i garantuar, pa asnjë luhatje. Të jesh kaq i pastër në biznesin e plehrave është pak e çuditshme, mendja të shkon te Jugu i Italisë që për plehra bëhen luftëra shumë të forta, madje edhe me grupe mafioze. Prova duhet të ketë meqenëse është çuar në Gjykatë. Besoj që dosja duhet të jetë e kopsitur me të gjithë përgjegjësit. Në PS thonë që përgjegjësia është individuale, meqenëse ai ka qenë ministër Mjedisi i qeverisë Rama. Pati një disfatë të madhe LSI në Durrës e kjo për shkak se zoti Koka u rreshtua krah PS. PS ka mbajtur një qëndrim konstant ndaj personave të akuzuar për korrupsion. Kjo nuk ishte një tender karburanti, kjo aferë i kalon përmasat e një ministrie dhe uroj shumë që SPAK të ketë guximin për të luftuar korrupsionin, është momenti për ta treguar. Mesa duket ne 1 ton plehra e kemi paguar shumë më shtrenjtë se sa është faturuar për ta përpunuar inceneratori.

Jam dyshues për vetë historikun e drejtësisë shqiptare, por kam një optimizëm vetëm për një shkak se pas kësaj drejtësie është turpi dhe nderi i SHBA dhe para shqiptarëve duhet të mbajnë një lloj dinjiteti”, tha zv. kryeredaktori.

Për situatën në PD, Lumnezi tha se të dyja palët, si ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryedemokrati
Lulzim Basha po tentojnë shumicën në parti, ndërsa çështjen e kryetarit sipas tij do të zgjidhet në
gjykatë.

“Vazhdon beteja për kreun e PD. Basha është zgjedhur përmes parimit një anëtar një votë. Vendimi në fuqi është po i tyre. Në përfundim dihet se anëtarësia, sipas grupit të rithemelimit të PD do të thotë që anëtarësia e shkarkoi. Kjo është e mbaruar. Pjesa tjetër Kuvendi i zotit Basha është një Kuvend legjitim nga ana statutore. Numri i delegatëve do të jetë një moment analize sepse nëse zoti Berisha deklaroi 4 mijë e ca delegatë, Basha do të deklarojë 5 mijë. Por kush po gënjen në këtë mes? Besoj se në gjykatë do të ndahet kjo.

Një fakt është qe Berisha nuk është në momente të tilla, sepse duke ashpërsuar gjuhën ndaj SHBA i jep më shumë pikë Bashës dhe del që është ai anti-amerikani. Trupi diplomatik po lëviz në grup. Pozicionimet janë marrë. Nga e diela palët do të shkojnë te marrja e sa më shumë mbështetësve, ka një formulë sepse Basha ka dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve”, tha Lumnezi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb