TIRANË

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Fatbardh Kadilli ka qenë mbrëmjen e sotme i ftuar në emisionin “Frontline” në News24 ku ka folur për situatën në PD dhe mundësinë e garimit për kreun e PD.

Kadilli tha se nuk do të ikë kurrë nga kjo parti dhe se ka nevojë për garë alternativash dhe jo garë individësh.

“Do dëshiroja që grupi i deputetëve të kishte qartësinë politike dhe të ishin në lartësinë e përgjegjësisë politike sepse ata përfaqësojnë votën e qytetarëve.
Unë nuk jam deputet dhe mbaj përgjegjësitë e mia.
Kam hyrë në politikë para se të krijohej kjo parti. Nuk do të iki kurrë nga kjo parti sepse është një parti që ka brenda shpresën e shumë shqiptarëve për të krijuar një alternativë.
Po nuk gjetëm sot të njëjtën përgjigje për aspiratën e shqiptarëve nuk jemi konkurrues. Unë besoj se nga barku i PD-së do të dalë kjo alternativë.
Aksioni i ri politik duhet të ketë të gjejmë njerëz të rinj, profesionistë, të pastër. E pastër është më e rëndësishme se të gjitha. Këta që drejtojnë opozitën janë bërë gati-gati si pushteti.
Unë nuk iki. Asnjëherë nuk jam lënduar nga pengimi i karrierës politike. Natyrisht nuk më ka ardhur mirë. Kam parë ministra e deputetë që nuk iu dihej emri. Me dhjetëra. E shohin si karrierë, si arritje”, tha Kadilli.

Në mënyrë hipotetike ai tha se nëse Berisha tërhiqet nga gara edhe ai do të dilte nga gara.
“Nuk kam një vendim për këtë gjë. Nuk është çështja që në parti të garojë një emër përballë një emri. Duhet një alternativë përballë një alternative.
A do ketë një garë alternativash apo individësh. Në një garë individësh nuk kam asnjë interes, në garë alternativash po.
Pa asnjë modesti, e kam thënë që në garën e 13 qershorit nuk kam qenë përballë zotit Basha, por përballë zotit Basha dhe zotit Berisha.
Nga beteja politike nuk tërhiqem asnjëherë. Betejën politike dhe më 22 maj do ta bëj, formën do ta vendos. Nga beteja politike nuk tërhiqem. Jam krenar që një pjesë e ideve të mia janë materializuar sot në parti. Unë e quaj sukses, për gjithë partinë. Kjo është beteja ime. Në qoftë se Berisha tërhiqet nga gara unë dal nga gara. Është beteja e ideve dhe alternativave më e rëndësishme. Unë e bëra sfidën. Nuk dua të ma japë mua. Po tërhiqem që tani, nuk kam asnjë funksion. Çlironi partinë”, tha Kadilli.

I pyetur për procesin e zgjedhjes së presidentit dhe përfaqësimin e opozitës, ai dha dhe një profil se si duhet të jetë Kreu i Shtetit.
“Partia ka dy elemente, ligjshmërinë, pra kush është regjistruar në gjykatë dhe institucionet që u krijuan dje. Këto institucione pasi të jetë zgjedhur kryetari zgjidhen kryesia, nënkryetarët etj. Me statut një nga nënkryetarët do jetë kryetar grupi.
Uroj që çdo demokrat të gjejë vullnetin dhe forcën e z. Berisha që punon për veten e vet për të mirën e partisë.
Një politikan i së majtës, ose i së djathtës. Nga shoqëria civile nuk jam dakord fare. Një njeri që nuk ka vokacion të brendshëm për t’u marrë me politikë nuk ka pse merr rolin më të lartë të shtetit. Të jetë një person, burrë apo grua që nuk është përkulur ndaj kryetarokracisë në partinë e tij.
Do doja një politikan që ka integritet dhe forcë për t’i ndenjur autoritarizmit dhe kryetarokracisë në partinë e vet”, deklaroi Kadilli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb