Ekspertja e PD për Shëndetësinë, Liljana Ramasaço e ftuar në emisionin ‘’Real Story’’ të Sokol Ballës në News24 ka treguar strategjinë që do të përdorte opozita po të ishte në pushtet për të përballuar pandeminë.

Ramasaço thekson se hapi i parë do ishte dhënia prioritet e mjekut të familjes që sipas saj qeveria aktuale e bëri 7 muaj me vonesë. Për të ky rol do të hiqte ankthin dhe frikën fillimisht tek njerëzit.

Nga ana tjetër ajo ka deklaruar se hapi i dytë do të ishte vendosja në funksion e spitaleve rajonale për pacientët me COVID-19. Ramasaço i është referuar rasteve të pacientëve me COVID-19 që presin tek ambulancat në oborrin e spitalit ‘’Shefqet Ndroqi’’ duke thënë se spitalet rajonale duhet të ishin në funksion prej fillimit të pandemisë.

”Në radhë të parë s’do bënim demagogji, do bënim atë strategji që s’është ndërtuar asnjëherë. Prioritet mjekut të familjes, që ju dha 7 muaj me vonesë nga qeveria. U pa ndryshimi tek njerëzit që u shërbenin, u hoq ankthi dhe frika e njerëzve.

E dyta, sa i përket numrit të të vdekurve. S’ka lidhje as me 25 prillit as me strategjinë. Ata persona kanë dalë nga spitalet covid. Qeveria ka bërë demagogji për 9 muaj rresht. Vijon ende se jemi me të mirët në Europë. S’jemi as në Europë, as në rajon. Nuk i kemi shërbyer qytetarit, s’ka pasur strategjinë e duhur. Duhet të ishte vënia në funksion e spitaleve rajonale. Duhet të funksiononin.

S’ka pse ai nga Tepelena të vijë në Tiranë, e ka rajonalin, në kohën e momentet e duhura. Mos rrijë në ambulanca të trajtohen te oborri i ‘’Shefqet Ndroqit’’.”- tha Liljana Ramasaço.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb