Olimpisti shqiptar, notari Sidni Hoxha, do ta mbajë mend gjatë këtë verë. Jo vetëm se mori pjesë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, ku vendosi një rekord kombëtar, por edhe sepse ka djegur shaminë e beqarisë. Një moment i shënuar në jetën private të këtij kampioni shqiptar në disiplinën përkatëse sportive, i cili është zbuluar përmes një postimi dhe urimi në “Facebook nga ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares, aktualisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Fatbardh Jera. Ky i fundit ka hedhur një fotografi me çiftin e sapokurorëzuar, ku pozon edhe me gruan dhe vajzën e tij, si dhe jep urimin e përzemërt: “Sidni Hoxha, kampioni shqiptar i notit, i sapokthyer nga “Rio 2016” me rezultate të shkëlqyera, na gëzon dhe me dasmën e tij. Jetë të gjatë dhe me trashëgime!”, shkruan Telesport.

Gara në “Rio 2016”
Më 11 gusht ka garuar në Lojërat Olimpike notari shqiptar Sidni Hoxha, sportisti i katërt kuqezi, që ndodhej në këtë Olimpiadë. Notari që jeton e garon në Amerikë mori pjesë në disiplinën 50 metra, stil i lirë. Hoxha garoi në baterinë e parë, ku triumfoi me kohën 22”80, një kohë e mirë e notarit shqiptar, që kishte kohën më të mirë pas përfundimit të garave në 6 bateritë e para (në këtë disiplinë ishin 11 bateri eliminatore).

Koha e dhënë nga notari kuqezi është rekord kombëtar, pasi ka përmirësuar me 7 të qindtat kohën e mëparshme 22”87, që mbahej po nga Sidni Hoxha, vendosur në Europianin e Berlinit, dy vite më parë. Gjithsesi, Hoxha nuk ka mundur të kualifikohej për në fazën gjysmëfinale, ku shkuan 16 kohët më të mira.

Notari kuqezi zuri vendin e 41-të mes 85 garuesve, një rezultat i mirë, duke konsideruar se vendosi rekord kombëtar. Notari Sidni Hoxha duhej të garonte në dy disiplina në këtë Olimpiadë, pasi përveç 50m stil i lirë kishte siguruar kualifikimin edhe në 100 metra stil i lirë. Por një gabim apo neglizhencë e drejtuesve të delegacionit olimpik, që nuk e regjistruan, bëri që ai të mungojë në këtë disiplinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb