Në pamje të parë, shteti shqiptar duket si një strukturë e zakonshme administrative, me institucione, nëpunës dhe mekanizma ligjorë që duhet t’u shërbejnë qytetarëve. Por një vështrim më i thellë i ekspertit të ekonomisë, Zef Preçi, zbulon një realitet shumë më problematik, ekzistencën e disa shtresave paralele brenda vetë administratës, që jo vetëm e bëjnë sistemin joefikas, por edhe rëndojnë drejtpërdrejt mbi taksapaguesit.

Nga njëra anë kemi administratën aktive, shpesh të kritikuar për politizim dhe patronazhizëm, nga ana tjetër një “ushtri” nëpunësish në procese gjyqësore, që presin rikthimin ose dëmshpërblimin, dhe në sfond, një administratë në pritje, e lidhur me rotacionet politike dhe logjikën e kapjes së institucioneve.

Në këtë analizë për gazetën “Panorama”, Zef Preçi ngre shqetësimin për tri realitete paralele që bashkëjetojnë në kurriz të qytetarëve.

Duke inkurajuar Kuvendin e Shqipërisë në përpjekjet për të ndërtuar ura midis taksapaguesve dhe qeverisësve të vendit (përndryshe ushtruesve te pushtetit) u njoha me raportin mbi Veprimtarinë e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2025 (https:// konsultimipublik.al/konsultime/58). Ndër të tjera në këtë raport theksohet se, “…nëse marrim në analizë veprimtarinë e Gjykatës Administrative të Apelit do të vërehet se gjatë vitit 2025 nga 26285 çështje që ishin për t’u gjykuar janë përfunduar vetëm 3126 çështje, ndërkohë që rezultojnë 23159 çështje të papërfunduara”.

Ndërkaq, po i njëjti raport konfirmon se me taksat tona në 205 institucionet shtetërore të mbikëqyrura prej tij janë paguar gjatë të njëjtit vit gjithsej 16343 punonjës në pozicionet e punës në administratën publike qendrore dhe lokale, me një rritje te lehtë prej 1,5% kundrejt vitit paraardhës, por kjo është një çështje tjetër. Nga të dhënat e këtij raporti të depozituar në Kuvendin e Shqipërisë shihet që në shtetin shqiptar rastet e çështjeve gjyqësore me punonjës të larguar nga sistemi janë më 40% më të larta se numri gjithsej i pozicioneve të punës në shërbimin civil të shtetit.

Nuk e teproj ta quaj këtë kontingjent nëpunësish si një administratë paralele, e cila më e pakta kërkon të paguhet deri në marrjen e vendimit përfundimtar të gjykatës pa folur për faktin se një pjesë e konsiderueshme e nëpunësve që janë proces gjyqësor me pushtetin kërkojnë rikthimin e tyre në vendet e mëparshme të punës (mosha mesatare në shërbimin publik, sipas të njëjtit raport është 42 vjeç). Shumëkush, pa u menduar gjatë, drejton gishtin mbi gjyqësorin, gjë që e bën edhe raporti në fjalë duke theksuar se “…duke marrë në konsideratë kapacitetin aktual të kësaj gjykate, nëse ritmi i përfundimit të çështjeve mbetet i njëjtë, do të nevojiteshin rreth 7.4 vite për të mbyllur vetëm stokun ekzistues, pa llogaritur çështjet e reja që regjistrohen çdo vit”. Personalisht mendoj se nuk është dhe nuk duhet të jetë kështu.

Thelbësore sipas mendimit tim është të shihet se si është krijuar dhe vazhdon të shtohet çdo vit numri i rasteve të tilla që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit. E në këtë optikë, nuk ka dyshim se keq-qeverisja, përqendrimi i ushtrimit të pushtetit në pak duar zyrtarësh elif matrakë që nën koracën e mbrojtjes politike që ju ofron KM Rama dhe qeveria e tij shkelin ligjin me të dyja këmbët duke larguar padrejtësisht nëpunës të zellshëm të shtetit, për ta mbushur shërbimin civil me patronazhistë, familjarë të nëpunësve të lartë, zgjatime okulte të lobeve të biznesit deri edhe të segmenteve të krimit të organizuar. Për të kuptuar se si është krijuar ky stok nëpunësish në dyert e gjykatave tentova të deshifroj raportimet e viteve të mëparshme të Komisionierit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, por për fat të keq, përveç disa leksioneve që sot i ofron me lehtësi inteligjenca artificiale, nuk gjeta dot as edhe numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij shërbimi. E kjo i takon periudhës kur mashtrimi i madh me “Diellën” ishte ende një “projekt” i grupit të strukturuar kriminal të AKSH-it…

Natyrisht që unë nuk mund të pajtohem as me sugjerimet e raportit në fjalë të vitit 2025 për nevojën e “…rritjes së kompetencave të Komisionerit për trajtimin administrativ të ankesave individuale në marrëdhëniet e shërbimit civil, si fazë paraprake dhe re detyrueshme përpara shqyrtimit gjyqësor nëpemrjet vendimeve të detyrueshme të tij …duke pamundësuar efekt pezullues të ankimimit në gjykatë”. Kjo sepse nëse duam që shteti ynë të funksionojë sipas Kushtetutës, pozicioni i gjykatës duhet respektuar pa kushte.

Ndërsa kur flasim për gjyqësorin, është rasti të kujtojmë se “mali i dosjeve”, pezull është krijuar nga mungesa e trupës përkatëse dhe për këtë klasa politike ishte dhe është krejt e qartë, por mendoj se mungon vullneti për ta freskuar e plotësuar këtë trupë. Mjafton të kujtojmë se janë disa mijëra të diplomuar në drejtësi në vendet fqinje, veçanërisht në Itali, që me një tërësi testesh të shpejta profesionale mund të integroheshin në sistemin tonë të drejtësisë, pa pasur nevojë të “filtrohen” politikisht (dhe jo vetëm) përmes Shkollës së Magjistraturës… Dy fjalë më shumë për barrën fiskale të këtyre çështjeve në proces gjyqësor, gjithsej 23159 të tilla. Nëse marrim parasysh pagën mesatare mujore në sektorin publik prej 103,000 lekësh (INSTAT, 2025) dhe kohë pritjen minimale prej 5 vitesh, rezulton se duhet të paguajmë të paktën 30 milionë euro në vit nga taksat tona. Kjo është edhe kostoja e keqqeverisjes dhe papërgjegjshmërisë së klasës politike për të cilën një ditë duhet të japë llogari. Kjo është edhe “administrata e dytë”, më e madhja e shtetit shqiptar.

Mendoj se është bërë e domosdoshme rritja e përgjegjësisë individuale dhe e masave ndëshkuese ndaj zyrtarëve që me veprimet dhe mosveprimet e veta i sjellin dëm financiar buxhetit të shtetit. Përveç këtyre dy administratave, njëra në punë, kryesisht e mbushur me patronazhistë dhe tjetra në pritje të pagesës mbas vendimit të gjykatës, por që pretendon se i janë shkelur të drejtat e veta sipas ligjit për shërbimin civil, është edhe administratë e tretë, që do të preferoja ta quaja “administrata në hije”. Fjala është për atë grup individësh që qëndron mbas PD dhe partive të tjera të opozitës në pritje të rotacionit të pushtetit, të motivuar ndoshta nga i njëjti mentalitet dmth., mentaliteti i pushtimit të institucioneve të shtetit në emër të pasurimit të shpejtë dhe pa kontribute, karrierës së lidhur me më individët e fuqishëm politikisht dhe financiarisht dhe jo me ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve sipas ligjeve të shtetit. E duke analizuar këto tri administrata, nuk mund të mos ndjej keqardhje për taksat e mia. Por më shumë keqardhje ndjej për fëmijët tanë që detyrohen të jetojnë në këtë lloj shteti të bërë njësh me pushtetin ku mbajtja me çdo kusht e pushtetit është alfa dhe omega e qeverisjes, gjë që i bën “qytetarët mesatare” të ndjehen të përjashtuar edhe pse administrativisht ende jetojnë në Shqipëri…

/Gazeta Panorama

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb