TIRANE

Emisioni “Jeta pa filtër” me autore psikologen Ervisa Lula këtë javë solli përjetime të Alfred Muharremit  i riu i cili u përball me jetën, duke mos provuar asnjëherë ngrohtësinë e prindërve. Pas viteve të para të mundimshme në “Shtëpinë e fëmijës” në Shkodër, fati e deshi që të shkonte pranë fshatit SOS në Tiranë. “Kur shikoja bashkëmoshatarët e mi me prindër, thoja nëse do e kem edhe unë fatin të jem si ata apo do mbetem në krah të vëllait apo motrës.” -kujton ai, ndërsa flet për çastet kur rrëzohej e goja nuk i thoshte “O ma!” Më tej rrëfen për frikën se mos e humbiste dashurinë e shumëkërkuar që gjeti në SOS.

Muharremi sot kandidon për çmimin “Hermann Gmeiner” mbi kontributin që ka dhënë në ndihmë të fëmijëve e personave pa kujdes prindëror. Për të nuk ka qenë kaq e lehtë. Në jetë i është dashur të tregojë karakter të vendosur, ndërsa tregon se si një mësuese në shkollën fillore i kërkon klasës të bëjë një lëshim për të duke u shprehur se ai ishte njeri pa njeri. Kjo e ka bërë të ndihet keq. Me një personalitet të fortë, në mes të klasës i është përgjigjur mësueses duke i thënë se nuk është i vetëm, por ka 150 njerëz pranë. Më tej Muharremi ngre zërin për ligjin që përcakton statusin e “Jetimit”, teksa thotë se vetë ligji shkel të drejtat themelore e se është i pazbatueshëm për shkak se lë jashtë 95% të kësaj kategorie.

Në emision flasin miqtë e tij, bashkëudhëtarë të të njëjtit fat, për ndihmën konkrete që Muharremi jep për ta. Nertil Tola, që e konsideron si vëlla, sot gëzon një vend pune pranë QSUT falë mbështetjes së Alfredit. “Ndiheshim të veçuar nga të tjerët. Alfredi më është gjendur për çdo gjë. Kam qenë shumë çapkën dhe më ka folur shumë” -thotë Nertili. Po ashtu, mirënjohës i është edhe Sabail Gjyli. Ai ka patur në krah Alfredin për arsimimin e tij në nivelin master. Tashmë ai është në një përgjegjësi të re, si baba.

I lumtur për të birin, trashëgimtarin e tij, Arvin, thotë se tani ka gjakun e vet, e shprehet se nuk do  e linte kurrë vetëm. Alfred Muharremi është në ethet e garës për çmimin “Hermann Gmeiner” si i vetmi shqiptar, i nominuar deri tani, me shpresën se kjo do i hapë më shumë dyer për të kërkuar të drejtat e personave të rritur pa kujdes prindëror, ku pret të nisë edhe një peticion on line për të firmosur për ndryshimin statusit të “Jetimit”. “Jeta pa filtër” transmetohet çdo të mërkurë në orën 10:30 si edhe mund të ndiqet në You Tube në kanali “News24 Albania”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: