TIRANE– Sipas vendimit të qeverisë, të gjithë pensionistët do të mund të tërheqin në sportelet e Postës Shqiptare shpërblimin sipas kategorive të përcaktuara në të, ndërkohë që afati i fundit është data 30 dhjetor. Sipas grafikut, pensionistët do të marrin nga ora 08:00 deri në orën 14:00 pensionin në datën e caktuar, si dhe shpërblimin përkatës, ndërkohë që pas orës 14:00 deri në orën 20:00, do të jepet shpërblimi për ata pensionistë të cilëve u ka kaluar data e tërheqjes së pensionit.

Kështu, sipas grafikut të ISSH-së, sot do ta marrin pensionin personat që kanë datën e tërheqjes së pensionit, ndërsa pas orës 14:00 do të marrin shpërblimin pensionistët që e kanë marrë pensionin në datat 3 dhe 4 dhjetor.

Në datën 24 dhjetor do ta marrin datat 8, 9, 10 dhjetor, në datën 25 dhjetor do ta marrin datat 11, 12 dhjetor, ndërkohë që në datën 26 dhjetor do ta marrin datat 15, 16 dhjetor. Më pas grafiku përcakton se në datën 27 dhjetor do të marrin shpërblimin e fundvitit datat 17, 18 dhe 19 dhjetor, ndërsa në datën 29 dhjetor do ta marrin datat 20 dhe 21 dhjetor. Në ditën e fundit të afatit, pra më 30 dhjetor, do t’u jepet mundësia të gjithë atyre pensionistëve që nuk do të arrijnë ta tërheqin në datat e përcaktuara më sipër. Përfitues të shpërblimit të festave të fundvitit janë 598 203 pensionistë, ndërkohë që 344.382 prej tyre do marrin shumën prej 2.000 lekësh.

Kjo shumë do të përfitohet nga ata pensionistë që aktualisht marrin pensione qyteti pleqërie, invaliditeti dhe familjar, 149.691 persona që përfitojnë pensione fshati, pleqërie, invaliditeti e familjar, 11.355 persona që përfitojnë pensione të parakohshme për vjetërsi shërbimi, 4.230 persona që përfitojnë trajtimin e veçantë financiar të ishpunonjësve të nëntokës dhe ish-punonjësve të ndërmarrjeve të industrisë ushtarake. Ndërkohë që, 81.000 pensionistë kryefamiljarë të vetëm do të përfitojnë shpërblimin në masën 3.000 lekë. Ndërsa, shumën prej 5.000 lekësh do ta përfitojnë 7.095 persona që trajtohen me shpërblimin si veteranë të luftës dhe invalidë të luftës.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb