Kërkesa e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës do të jetë puna kryesore e këtij sesioni pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Kështu ka njoftuar Asambleja në një përditësim të fundit të agjendës së saj.

“Një debat mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), që do të mbahet në Strasburg më 15-19 prill 2024”, thuhet në njoftim, raporton Gazeta Express.

Po ashtu, APKE do të ketë në agjendë edhe një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftës së tij kundër demokracisë, si dhe një sërë çështjet të tjera.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: