Krimet e rënda në vend ishte sërish temë diskutimi në studion e emisionit “Pikat mbi i”,“News24”. Të ftuar për të folur mbi këtë çështje ishin dy analistët, Artur Zheji dhe Enton Abilekaj.

Analisti tha se përgjegjësia pas ngjarjeve të fundit qëndron mbi qeverinë.

Sipas Abilekajt, ngjarja e Velipojës është më sfond politik, pasi personat e përfshirë sipas tij, ishin mbi ligjin. Nga krahu tjetër, analisti Zheji, tha se problemi qëndron te armëmbajtja pa leje dhe mosrespektimi i ligjit.

Duke iu referuar deklaratave të një dite më parë të kryeministrit Rama, ai tha se Kreu i Qeverisë u shfaq jo i shqetësuar, pasi sipas Zhejit, ndodhet i qetë në “bunkerin e mandatit të tretë”.

Artur Zheji: Ju thatë reagimi i shtetit dhe ishte Rama. Rama nuk është shteti, kryetari i mazhorancës. Duhet të reagonte opozita, prokuroria. Unë them që pamë një ramë në një konferencë të gjatë, të një njeriu që flet nga bunkeri mandati i tretë. Ai thotë askush nuk më prek mua, do të ndodhin gjëra, etj etj. Është një njeri që flet nga lart poshtë. Ky është reagimi i tij, kështu e lexoj.

Enton Abilekaj: Jo vetëm fjalitë që latë në sinkronin e Ramës, është e qartë që reagimi është skandaloz. Të thuash si të parandalohet një i çmendur në rrugë? Por ai pasi ka bërë 150 km rrugë, a ka mundësi të shmanget? Po, duke zbatuar ligjin, duke mos qenë askush mbi të. E dyta, si mund të jetë policia në 12 të natës në Velipojë? Këtu kemi të bëjmë me mungesë përgjegjësie. Zgjedhja e vetëgjyqësisë tregon që individët s’kanë besim te shteti. Është përgjegjësi e pushtetit, e Edi Ramës personalisht, që i ka dhënë më shumë pushtet ekonomik krimit, që i është dhënë krimit si shpërblim për mbështetjen në zgjedhje. A është rasti i Velipojës një rast episodik, ku në shtet gjithçka funksionon mirë dhe dy biznese u përplasën? Të gjithë shprehën keqardhjen, por kjo është një rezultat i natyrshëm i politikave të ndjekura nga kjo qeveri. Është rasti i Elbasanit, ku Prokuroria, policia u bashkua me krimin ndaj opozitës. E gjithë kjo është rezultat i një politike të ndjekur nga Rama. Në Gjermani mund të ndodhë një episod fatkeq, por nuk krahasohen. Sepse episodet e shkëputura ndodhin në çdo vend, por kjo nuk është një episod i shkëputur, është një keqpolitikë. Kryeministri tha që dikur kishte më shumë vrasje se ditë viti. Ta krahasosh situatën me 97-ën, sepse të krahasosh e të thuash fajin e ka Saliu, do të thotë që tallesh me njerëzit. Çdo aksident, nuk ka sfond politik, por janë rrjedhime të një politike të caktuar dhe përgjegjësinë e mban kryeministri.

Artur Zheji: Është e vërtetë që të gjitha fajet i ka Saliu, e të thuash nga krahu tjetër që të gjitha fajet i ka Rama. Ata dy zotërinjtë që patën atë çmenduri e menduan që përmes vrasjes mund të zgjidhnin gjithçka. Pra, jo gjithçka është bardhë e zi. Ne gjejmë defekte edhe aty kur s’ka. Nëse themi që Rama kontrollon Gjyqësorin, këtë, atë, Rama krijon idenë e një njeriu të fuqishëm, të pamundshëm, ne e fuqizojmë, e absolutizojmë. Pra krijohen dy ekuacione diferenciale, të atij që qëndron lart, e ato poshtë, që lëvizin pa rregulla. Duhen gjetur të çara që ekzistojnë në sistemin pozitë, opozitë, në sistemin e një qeveria që nuk ka vetëveprim. Këtu ka nevojë për një ngritje, revolucion kulturor, të një kulture të re në bashkëjetesën me politikën. Kjo është mënyra më e mirë, për t’i thënë gjërat siç janë.

Enton Abilekaj: Ne duhet të japim shpjegim të drejtë për ngjarjen. Ka njerëz që thanë që ne shqiptarët i zgjidhim gjërat me vetëgjyqësi. Por a janë këto shpjegime të vërteta? Unë them se jo, sepse edhe në Dhërmi u bë e njëjta gjë dhe nuk pati viktima. Aty nuk u përplasën dy figura mbi ligjin, këtu në Velipojë u përplasën dy figura mbi ligjin. Ata janë njerëz që janë mësuar me pushtet të tejkaluar, s’po merreshin vesh, nuk pritën shtetin të zgjidhte, por shteti nuk e korrigjonte dot gabimin. Kjo ishte dhe arsyeja. Në Ksamil kemi një punonjës policie, që ka zënë vendin e një biznesmeni. Misioni im është të kemi një qeverisje më të mirë. Ato janë pushtete që ka shpërndarë, shpërblime që ka shpërndarë nga llokmat e vendit, ndaj tani po bën këtë aksion, duke thënë që po ua marr të gjithëve.

Artur Zheji: Nëse do të ishte një konflikt mes llokmaxhinjve, llokmaxhiu A dhe B, nuk ishin të kënaqur me llokmën, por s’u ankuan te llokma ndarësi, por e zgjidhën vetë. Unë mendoj që është në rrënjë problemi. Pse s’ka fushatë për mbledhje e armëve, ose të armatosen të gjithë shqiptarët. Kjo ishte çmenduri e palëve. Ai që shkon për të vrarë për një problem, duke qenë i përkëdheluri i Ramës, përdorte Ramën dhe jo armët. Problemi është se duke mbledhur armët. Reforma në Drejtësi është përdorur me timon, për ta pasur si forcë publike politikanë të përzgjedhur. E treta kontrolli i territorit, ua ka lënë më shumë togerëve, apo kapitenëve, të çunave problematikë dhe ia ka hequr policisë. Policia ose është yzmetqare e çunave problematikë. Ose Rama do të ketë një mandat të konservuar pushteti dhe do i bie copa-copa, ose do të bëj reformë të madhe për ta mbajtur në pushtet edhe mandatin e katërt.

Rama u duk si një persona që po justifikonte ngjarjet? Duke thënë se ngjarjet tregojnë trednin? Apo ishte i shqetësuar?

Artur Zheji: Jo, s’m’u duk i tillë. Fakti që Shqipëria ka mbetur mbrapa, Saliu kthehet në skenë, Basha nuk përmendet. Rama e di që nuk ka trend të rrezikojë pushtetin e tij, ndaj përdori fraza gjysmë të gatshme dhe meqenëse është në prag të Rama 3, nuk bën lëvizje. Ajo ishte një gjë për të kaluar radhën. Nuk ka akoma tërmet 7 ballësh

Enton Abilekaj: Ajo ishte një shprehje pakënaqësie ndaj ministrit të Brendshëm. Kjo do të thotë se Rama se ndryshon realitetin e tij 8 vitesh, bashkëpunim me krimin, rrëshqitjen e pushtetit te kriminelët. Marrja në dorë e situatave lokale prej tyre, në mënyrë që t’i përdorë për zgjedhjet. Kjo situatë ka dalë nga kontrolli. Shteti nuk vepron më me këto ambiente. Rama ndryshon perceptimin, ai është mjeshtër për këtë. Ai tha që këto janë raste sporadike. Ai tha që heqim emrat e viktimave, shkatërrojmë çdo kolonë të shoqërisë, siç është humanizmi, për të mbajtur pushtetin në këmbë. Askush nuk e përmendi 20-vjeçarin që ndërroi jetë. Fajin e kanë mediat, fajin e kanë ato që po largohen mediat. Por turistët e thanë me gojën e tyre që ndihen të pasigurt. Situata çdo vit del nga kontrolli. Në Sarandë plasi pushka, në Durrës me krisma te koncerti i Dafina Zqeirit. Në Dhërmi dogji shezlongët, është situatë jashtë kontrollit, sepse përdoret nga persona që s’njohin ligjin dhe janë mbi të. Edhe aksidenti përfshihet te ky mentalitet, njerëz mbi ligjin.

A është policia më e fortë pas asaj që tha kryeministri?

Artur Zheji: Jo, s’e themi këtë. Ne kemi kulturën e pandëshkueshmërisë në të gjithë dimensionet. Nga gjykatat, te polici më i thjeshtë, bëhen balancat pa arbitër. Arbitër në këtë rast është shitemi i drejtësisë. Shumatorja e të gjithë kompromiseve që bën mbajtësi i mandatit të tretë. KÇK-në Rama e ka brenda sistemit të vend, te policët, që marrin lekë, te drejtorët e ujësjellësit, te drejtorët e thjeshtë. Duhet që kryeministri ta marri sistemin, ta shkundë e të lë pisllëqet të bien poshtë, por këto e mbajnë. Dilema nuk është të episodet e çmendura. Këtu kemi vetëm shpërthim, ose të vetëgjyqësisë, ose krimit dhe kjo është shumë e ulët, është fenomen i padukshëm. Rama nuk kishte qëllim t’i inkurajonte ato, Rama e shkarkoi të keqen te sistemit gjyqësor. Ndonjëherë do të ishte më mirë të mbanim rrënjët. Si ka mundësi që nga Konispoli në Vermosh, janë me armë. Këtu krimi, problematikët, janë të armatosur, ne që zbatojmë ligjin jemi të çarmatosur, e duhet të jetojmë në këtë xhungël. Do të ketë apo jo forcë Rama për të ndryshuar këtë gjë, kjo do të varet nga shtatori dhe ideologjia e ndjekur nga kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb