Tirana i ka jo të pakta shoqatat e grave, aktivistët e aktivitetet për to, ndonëse, si për forcë zakoni, ka shpesh nga ata që ankohen se shoqatat e aktivistët e shoqërisë civile mund ta bënin më mirë punën e tyre. Ankestarë do të ketë gjithmonë; por unë jam nga ata që besojnë se edhe një bisedë në një rreth të ngushtë mund të vlejë për të ndërgjegjësuar njerëzit se gratë gëzojnë disa të drejta të pamohueshme, më së pari si qenie njerëzore, që askush nuk ka as arsye e as tagër t’ua nëpërkëmbë.

Më 6 mars në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (UT) me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Shqipëri, u mbajt “Forumi IV kombëtar i grave shqiptare të frankofonisë” që kishte në fokus “Artin dhe format e angazhimit për gratë”. Ftesa për të marrë pjesë në këtë forum më erdhi nga dy profesoresha të respektuara dhe gra dinjitoze, Esmeralda Kromidha dhe Drita Rira. Ato, me përkushtimin e njerëzve që i bëjnë gjërat për pasion, mblidhen çdo vit me personalitete të spikatura të jetës publike, për të trajtuar çështje që lidhen me gratë dhe të drejtat e tyre në vendin tonë.

Tema për të cilën m’u kërkua të flisja ishte si mund të nxisim ndjeshmërinë e lexuesit dhe të bëjmë të zhvillohet reflektimi për gjendjen e gruas nëpërmjet të shkruarit. Nuk do të risjell këtu fjalën e plotë që mbajta në forum, megjithatë dua të ndalem te disa pika, që mendoj se janë kyçe për t’u trajtuar në një ditë si 8 Marsi.

Në shoqëritë në tranzicion arti nuk e ka luksin që të jetë i paangazhuar, art në vetvete e për vetvete. Veç kësaj, artistët janë të ankoruar në një kontekst të caktuar shoqëror, kulturor e historik, ndaj dashje pa dashje ata bëhen pjesë e kauzave dhe angazhimeve të ndryshme. Të jesh shkrimtar, artist a intelektual i angazhuar për të drejtat e grave në një vend si Shqipëria është mision në të mirë jo vetëm të grave, por të gjithë shoqërisë.

Të flasësh për të drejtat e grave nuk është të risjellësh në vëmendje “klishetë” për barazi gjinore, as të ankohesh sa për kapriço, veçanërisht po të kemi parasysh se realiteti i grave shqiptare nuk është realiteti i disave prej nesh në Tiranë, apo i atyre që kanë fatin të kenë një karrierë e një punë të qendrueshme. Mendoni pak për realitetin e vajzave dhe grave në periferi, për gratë në qytete të largëta, në fshatra të thella.

Kronika e zezë ditë pas dite na klith për jetët e humbura të grave apo të atyre që kanosen nga dhuna. Ndaj kushdo që ka një zë pubik apo që komunikon me audienca më të gjera përmes artit, mund dhe duhet ta ngrejë zërin për kauzën e të drejtave të grave, për vlerën e jetës së tyre.

Në ato aktivitete që bëj me studentët, në shkrimet e mia publicistike a letrare gjithnjë synoj  të çmitizoj atë që në shqërinë tonë njihet si “kodi i heshtjes”. Vajzat rriten duke dëgjuar se nuk duhet të bëjnë zë, nuk duhet të kundërshtojnë, duhet të binden, se ato janë thjesht gra. Ato mëkohen me këtë arketip të stërmykur, por të ngulitur thellë në normat shoqërore.

Të mos bësh zë do të thotë të mos vokalizosh as dhimbjen e as kënaqësitë. Është turp!

Të mos bësh zë do të thotë të mos ankohesh, nëse në rrugë të dhunojnë edhe me shikime, të mos tregosh nëse ngacmohesh seksualisht. Është damkë!

Të mos bësh zë do të thotë të mos kallëzosh nëse dhunohesh, se pastaj nuk ke ku të përplasësh kokën. Është frikë!

Le ta marrim përsipër secili në mënyrën e vet kauzën e grave. Unë po flas me ca studentë, të cilëve iu shkëlqejnë sytë, mbase ata do ta kuptojnë rëndësinë e të folurit për tema të tilla, do të bëhen më të ndjeshëm. Po shkruaj, se më vjen ndoresh dhe se arti e ka të përligjur angazhimin në të tilla kushte e për të tilla problematika të thella sociale. Olga Tokarczuk, nobelistja në letërsi e vitit 2018, do të shprehej: “unë shkruaj për të hapur mendjen e njerëzve, për të prezantuar perspektiva të reja, për t’i bërë njerëzit të kuptojnë se ajo që mendojnë se është e dukshme nuk është dhe aq e dukshme… për këtë është letërsia, për të rritur vetëdijen, aftësinë për të interpretuar jetët tona dhe atë që po na ndodh”.

Rëndësi ka që jo vetëm më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Grave, por kudo e kurdo, në rrethe të ngushta, në forume si ai “i Grave shqiptare të frankofonisë”, në mediume më të gjera, të flasim, të shkruajmë, të ngremë zërin për gratë e të drejtat e tyre. Nëse nuk bëjmë zë kjo do të jetë kosto e papërballueshme, sepse nëse zëri nuk ngrihet, nëse nuk flitet, nëse nuk kallëzohet, për jetën e një tjetër vajze a gruaje mund të jetë shumë vonë…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb