Ish-përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Fabian Topollaj, komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, zgjedhjen e anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, duke e bërë këtë gjykatë funksionale pas më shumë se tre vitesh.

Topollaj tha se Gjykata Kushtetuese u ngrit para Gjykatës së Lartë, pasi në të kundërt ajo do të vonohej dhe radha nuk priste.

“Radha nuk mund të priste derisa të ngrihej Gjykata e Lartë, pasi ajo do ta vononte Gjykatën Kushtetuese. Rregulli i treshes u vendos, për shkak se Kushtetuta e ka konceptuar vendimmarrjen e përzgjedhjes së anëtarëve si një ndërveprim i KED dhe institucioneve që bëjnë përzgjedhjet. Zgjedhja e Binajt ka plotësuar komponentët, nga KED dhe Parlamenti. Kjo do të thotë që në parim ne jemi përpara një procesi të rregullt”, tha Topollaj.

Ndërkohë, i pyetur për tërheqjen nga gara të gjyqtares Zhaklina Peto, Topollaj u shpreh se “Është vendimmarrje personale e saj, nuk e shpjegoj dot. Që kur ndodhi incidenti i plotësimit të vakancës me Presidentin dhe KED, procesi mori një goditje shumë të rëndë mes profesionistëve të fushës. Edhe tërheqja e profesionistëve, mos interesimi për të kandiduar, ka ndodhur menjëherë pas incidentit. Ky incident theu besimin te procesi, sepse dy institucionet kryesore të ngarkuara nga Kushtetuta për të plotësuar vakancat bënë një skifo-figurë, atë përplasjen e fortë, që nuk kishte asgjë profesionale”.

Ndërkohë, i ftuar në studio, zëvendëskryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi, komentoi thirrjet e vazhdueshme të ambasadores amerikane, Yuri Kim, për ngritjen e kësaj gjykate brenda vitit 2020.

“Edhe amerikanët, që janë kryeboshti i Reformës në Drejtësi, u lodhën nga politikanët që vetëm deklaronin, flisnin për procedura, por në fund kishim vetëm zvarritje. Reforma në Drejtësi u etiketua si reforma më e madhe, ishte aq i madh zelli, sa nga informacionet që kam Kancelarja Merkel ka vënë duart në kokë”, u shpreh gazetari Lumezi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb