Nga: Armir Mehaj*

PUKË- Vetëm pak kohë pasi ka arritur të ndërtojë formacionin e plotë të skuadrës pukjane, trajneri Samuel Nikaj duket se tashmë ka çdo gjë gati për debutimin për të parën herë të Tërbunit në ndeshjet e kategorisë së parë. Në stadiumin “Ismail Qemali” të qytetit të Pukës krahas punës intensive për përfundimin e punimeve infrastrukturore, skuadra e trajnerit Nikaj po bën stërvitje intensive me qëllim performancën e mirë në ndeshjet e kampionatit në prag të së cilit jemi.

Trajneri i Tërbunit, Nikaj bën të ditur se nuk ka pretenduar të marrë futbollistë me emër, por pjesë e formacionit të ngritur prej tij janë futbollistë që duan të bëjnë emër, dhe këtë do e arrijnë përmes rezultatit që do të korrë gjatë ndeshjeve të kampionatit, ku sipas Nikaj, askush nuk duhet të mendojë se Tërbuni do të bjerë nga kategoria.

Trajneri i skuadrës pukjane duket se tashmë ka në mendje dhe formacionin për ndeshjen e parë përballë Tiranës. Kështu, në portë do jetë Haxho, ndërsa katërshja e mbrojtjes do jetë e përbërë nga Peqini në të djathtë, Brahja e Lila në qendër dhe kapiteni i sezonit të kaluar, Mone në krahun e majtë. Në mesfushë mendohet të luajnë Gërxho, Muça, Gavazaj e Karapici, ndërsa në sulm është dyshja Malindi-Manuka. Përveç kësaj 11-she, trajneri Nikaj sheh shumë pranë formacionit bazë dhe mund të jenë pjesë e tij edhe Rexhën, Imamin, Tushen dhe Taulant Markun. Ajo çfarë vërehet tek Tërbuni është optimizmi për rezultatet e kampionatit, ndërkohë që prioriteti i vetëm i skuadrës pukjane për kampionatin e ardhshëm duket se është që Tërbuni të mos kthehet andej nga erdhi.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: