Kryetarja e Kuvendit,  Lindita Nikolla, priti në takim ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov.

Ambasadori Shkurov e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit, i përcolli gjithashtu urimet e Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, si edhe e garantoi për vullnetin e Ukrainës për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet e mira e miqësore midis Shqipërisë dhe Ukrainës dhe vuri në dukje interesin e Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kësaj do t’i shërbente edhe mbajtja e Sesionit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të nxitur shkëmbimet tregtare midis të dy vendeve dhe sidomos turizmin, si një mundësi e madhe që ka rritur kontaktet mes popujve tanë.

Nikolla vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis të dy vendeve në nismat shumëpalëshe dhe mbështetjen e kandidaturave respektive; vlerësoi kontributin e Ukrainës në misionet e NATO-s në vende të ndryshme të botës dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO e BE, për të kontribuar në ndërtimin e një hapësire të qëndrueshme e të sigurt euroatlantike. Intensifikimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar do t’i shërbejë forcimit e zgjerimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb