Me ambasadorin e pranishëm dhe imazhet e një ekspozite homazh për Ukrainën në oborr, është çelur në Akademinë Marubi edicioni i 17-të i Festivalit Ndërkombëtar të filmit për të drejtat e njeriut që këtë vit ka në qendër të vëmendjes të rinjtë.

Nata e parë shfaqi filmin kanadez “Antigone” që trajton sfidat e emigracionit ndërsa ambasadorja e Kanadasë Elissa Golberg, e vuri theksin te nevoja për të diskutuar.

“Këto lloj bisedash që duhen bërë në mënyrë që në vendet demokratike të kemi një shoqëri që ushqen respektin për drejtësinë, solidaritetin, besimin dhe sidomos për këtë të fundit mes popullit dhe qeverisë së tij”, tha Drejtori i festivalit Kujtim Çashku.

Ndërkaq, ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann ishte shumë e qartë në mesazhin e saj në një festival për të drejtat e njeriut.

“Në këndvështrimin tonë, promovimi dhe sigurimi i respektimit të të drejtave të njeriut ka të bëjë me situatat e jetës reale të njerëzve – më lejoni të përmend disa shembuj:
A janë gazetarët të sigurt, a mund të raportojnë lirisht për të gjitha çështjet? A ekziston një mjedis favorizues për lirinë e shprehjes? A kanë të drejtë njerëzit të mblidhen me njerëz të tjerë dhe të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet? A mbrohen siç duhet nga autoritetet shtetërore?”, u shpreh ajo.

Duke përfshirë në fjalën e saj edhe LGBT dhe personat me aftësi të kufizuara Hohman tha se filmat mbeten një nga mediumet më të fuqishme për të rritur ndërgjegjësimin ndaj BE e mbështet festivalin. Festivali mbahet deri më 24 shtator dhe sjell 37 filma për të drejtat e njeriut që i shfaq në ish Kinostudio, në kinemanë Maks Velo në Laprakë, Lulishten e kryeministrisë, etj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb