Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar këtë 7 mars bashkëbisedim me prindër dhe nxënës të shkollës 9-vjeçare “Shtjefën Maçi”, në Dajç të Shkodrës. Sipas Bashës, kjo shkollë ka mbyllur dyert këtë vit, për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria.

Prindërit i tregojnë kryedemokratit se fëmijët janë zhvendosur larg, në Dajç të ri ose në Shkodër, për të ndjekur mësimet, pas mbylljes së shkollës.

Nga ana tjetër, fëmijët i thanë Bashës se udhëtojnë çdo ditë me furgon në orën 6.30 për të shkuar në shkollë në Shkodër dhe kthehen pas orës 14.00, duke e bërë të mundimshëm rrugën për shkollë.

“Do të bëj gjithçka që njerëzit të mos ikin as nga Dajçi, as nga Shkodra dhe për këtë më duhet ndihma e të gjithëve. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve”, tha Basha.

Ndërkohë, duke e shoqëruar bashkëbisedimin me një video në “facebook”, kreu i PD shkruan “Në Dajç me nxënës dhe prindër në shkollën 9 vjecare “Shtjefën Maçi” e cila ka mbyllur dyert këtë vit për shkak të largimit të shumë banorëve të kësaj zone nga Shqipëria. Trishtimi dhe vështirësitë e këtyre fëmijëve që udhëtojnë me orë të tëra përditë për të shkuar në shkollë, duhet të marrin fund. Ne do të garantojmë shkolla të hapura në çdo cep të Shqipërisë dhe me alternativën tonë për transformimin ekonomik të vendit, do t’i japim fund largimit masiv të shqiptarëve. #PotëDëgjoj #ditëmëtëmira”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb