TIRANË- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani i ka vlerësuar si jokorrekte marrëdhëniet mes Presidencës dhe Qeverisë, nisur edhe nga disa precedentë dhe përplasjet e fundit për emërimin e ambasadorëve. “Situata e komunikimit dhe marrëdhënieve mes presidentit dhe qeverisë në këtë aspekt është jo korrekte, sjell shqetësime që kanë të bëjnë me imazhin e shtetit”, tha Presidenti Nishani.

Ai tha se në maj Shqipëria dorëzon presidencën e SEEPCA-s tek Bullgaria por me këtë rast qeveria ka vendosur që ndryshe nga çfarë ka qenë traditë, të organizohet një Samit i Kryeministrave dhe jo i Krerëve të Shtetit dhe ky vendim sipas Nishanit është marrë pa konsultim me Presidentin e Republikës.

“Për herë të parë informohem jo zyrtarisht, që qeveria ka vendosur të mos ketë Samit të Presidentëve por Samit të Kryeministrave. Pa konsultë, pa diskutim. Mund të organizohet një samit i kryeministrave, megjithëse e kam të vështirë të besoj që qeveria mund të organizojë një Samit në fund të majit kur përgatit zgjedhjet. Në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe presidentja organizon një pritje dhe ka dërguar një ftesë edhe për Presidentin e Shqipërisë. Ndërkohë krerët e vendeve të tjera kanë dhënë konfirmimin për pjesëmarrjen, ftesa për Presidentin e Shqipërisë ka qenë e bllokuar në ministrinë e jashtme. Këto janë probleme serioze që lidhen me komunikimin. Në lidhje me ambasadorët unë e kam ngritur edhe herë të tjera shqetësimin ka të bëjë me procedurën jo me emra konkretë. Kam kërkuar që si Kreu i Shtetit që i emëron ambasadorët të realizohet përmes një procesi konsulte dhe ky proces ka të bëjë me njohjen nga kryeministri me argumentet se pse një person zgjidhet për të përfaqësuar Shqipërinë në vendin ku shkon për të shërbyer. Kjo ka qenë e vetmja kërkesë dhe për sa kohë nuk do të respektohet nga qeveria e bën të pakonkluduar një proces”, tha Nishani.

Ai tha se kjo kërkesë e Presidentit nuk ka të bëjë me kërkesën e qeverisë për konsultimin ndaj këtij institucioni për anëtarët e Gjykatës së Lartë. “Nuk mund të bëj paralelizma me anëtarët e gjykatës së Lartë, është funksion i Presidentit. Për ambasadorët ka pasur raste që emrat e zgjedhur nga ekzekutivi janë konsultuar me presidentin por ka pasur edhe raste që nuk janë konsultuar. Kërkesa ime për konsultim është që të ruaj integritetin dhe imazhin e institucionit të Presidentit të Republikës.

Gjithashtu Kreu i Shtetit duke u ndalur tek miratimi i Gent Sejkos nga parlamenti si guvernator i BSH-së, pavarësisht se ishte një emër i propozuar nga Presidenti, tha se në emër të institucionit që përfaqëson nuk ofron asnjë arsye për të krijuar ngërçe në marrëdhënien mes institucioneve. “Nuk do të ofroj asnjë arsye për të krijuar ngërçe apo ngrica përmes marrëdhënieve të institucionit të Presidentit dhe asnjë institucioni tjetër. Nuk i ndërtoj marrëdhëniet institucionale në baza preferencash personale por në sajë të respektit institucional”, tha Nishani.

RAMA: ÇFARË KAM TA THEM NË SY

Gjatë një konference për shtyp, kreu i qeverisë Edi Rama iu përgjigj akuzave të Presidentit Nishani për mungesë të komunikimit. “I mbetem besnik asaj që kam thënë se çfarë kam për t’i thënë presidentit ia them në sy”, – tha kryeministri. Sipas tij, ky është një tjetër dallim e ndryshim i madh në Shqipërinë e pas 23 qershorit, ku qeveria nuk sulmon presidentin. Përkundrazi, tha ai, kemi një president që sulmon qeverinë. “Me presidentin kemi përsa më takon kanale institucionale komunikimi. Çfarë kemi për t’ja thënë ia themi balle për balle e sy më sy. Presidenti duke sulmuar qeverinë ka bërë zgjedhjen e gabuar për rolin e tij kushtetues, por është zgjedhja e tij”,- deklaroi kryeministri Rama.

BUSHATI: NJE KRYETAR SHTETI ANKOHET SE NUK E LENE TE DALE JASHTE

Ndaj Presidentit ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, pasi gishti i Nishanit i është drejtuar direkt institucionit të drejtuar prej tij. Por, Bushati, përveç ironisë, nuk ka sqaruar nëse akuzat për bllokimin e ftesave për Presidentin janë të vërteta.

“Edhe një rekord tjetër, – ka shkruar Bushati në Twitter me ironi. – Hera e parë që dëgjojmë një kryetar shteti që ankohet për një ministër duke pretenduar se nuk e le me dalë jashtë.”

FJALA E PLOTE E NISHANIT-KONFERENCA
“Së pari, përshëndetje! Mirë se keni ardhur! Vlerësoj praninë e medias në kërkesën time për takim.

Arsyeja e këtij komunikimi me ju lidhet me vizitën që unë bëra dje në zonat e përmbytura në disa komuna të qarkut të Fierit e Vlorës, nisur nga situatat e fundit, të cilat media i ka përcjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë te qytetarët; dëshiroj, njëkohësisht, së pari, të falënderoj dhe të vlerësoj angazhimin e të gjithë medias, veçanërisht gazetarëve të terrenit, të cilët e kanë ndjekur me përparësi situatën në zonat e përmbytura.

Qëllimi i vizitës sime, së pari, ishte për të ofruar te qytetarët e prekur nga kjo fatkeqësi e natyrës të gjithë solidaritetin tim personal, por edhe institucional, njëkohësisht për të përcjellë te qytetarët e këtyre zonave mbështetjen dhe solidaritetin e të gjithë qytetarëve të vendit, të cilët janë të preokupuar për bashkëqytetarët e tyre, për situatën që ata po kalojnë; njëkohësisht edhe për të vlerësuar nga pikëpamja institucionale angazhimet e Institucionit të Presidentit të Republikës për të nxitur angazhimin e institucioneve përgjegjëse për përballjen e kësaj situate urgjente; si dhe, njëkohësisht, për të marrë më tej nismat e domosdoshme e të nevojshme jo vetëm për tejkalimin e situatës, por edhe për hartimin e planifikimin e planeve afatgjata.

Në terren konstatova që situata ishte e vështirë. Vlerësova gatishmërinë dhe ndërhyrjen e ndihmën e dhënë nga institucionet shtetërore deri në këto çaste, të cilët kanë bërë të mundur që, së pari, jeta e siguria e njerëzve atje të ishte e garantuar. Takova dhe verifikova angazhimet e strukturave të emergjencës të zjarrfikësve, të ushtrisë, policisë, të autoriteteve vendore, veçanërisht të kryetarëve të komunave dhe kryepleqve të fshatrave. Ajo që dëshiroj të përcjell te qytetarët përmes jush, ka të bëjë me sensibilizimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore për të gjykuar me përparësi e prioritet ndërhyrjet e domosdoshme, duke filluar nga mbajtja e kontaktit të vazhdueshëm me autoritetet vendore, veçanërisht të strukturave të emergjencave civile, të policisë në mënyrë këtillë që edhe në ditët në vijim të cilat, me sa duket, parashikohen të jenë të vështira, për shkak të prurjeve nga reshjet e shkaktuara, mbeten në rrezik real për jetën e qytetarëve, për pronat e tyre, njëkohësisht edhe për ekonominë e qytetarëve të këtyre zonave.

Vizita ime filloi në fshatin Darzezë, që ishte zona më e prekur dhe më e dëmtuar, për shkak se mbante ende në izolim të komunikim e të lëvizjes, një numër mjaft të madh qytetarësh, të cilët kanë nevojë për të mundësuar e lehtësuar lëvizjen e tyre, lëvizje që kanë të bëjnë me mundësitë e furnizimit me ushqime, por edhe me nevojat ditore të tyre. Në komunën e Darzezës, e cila vazhdon të mbetet një nga zonat më të prekura e më të dëmtuara, pothuajse numri më i madh i banesave të qytetarëve ishte bërë e pabanueshme. Kjo kërkon, padyshim, në një kohë afatmesme, një vlerësim të një ndihme për ata qytetarë për të rivendosur kushtet normale të jetesës në objektet e tyre të familjes, duke filluar nga orenditë shtëpiake, që në të gjitha shtëpitë e të tëra katet ishin mbuluar me ujë. Mendohet se veprimtaria dhe gjendja e tyre e mëtejshme do të jetë e pamundur për të shfrytëzuar ato asete që ata kanë në familjet e tyre.

Në Darzezë kishte edhe një situatë tjetër vërtet problematike, si një bashkësi që e ka të lidhur tërësisht jetën e tij me bujqësinë e blegtorinë, pothuajse 100 për qind e sipërfaqes së tokës së mbjellë ishte nën ujë dhe gjithë kultivimi që ata kishin bërë, në gjykimin e tyre, por edhe të çdo specialisti, si dhe të realitetit që ishte atje, tashmë është pothuajse jashtë mundësisë për të marrë investimin që ata kanë bërë në kultivimin e tokës që zotëronin. Kishte, njëkohësisht, një numër shumë të madh krerë bagëtish të mbytura, si edhe ekonomi të tjera të lidhura me këtë zonë.

Emergjenca, pa dyshim, është në garantimin e sigurisë së jetës së njerëzve, në garantimin e sigurisë së blegtorisë, të kafshëve që ata kanë në përdorimin e tyre. Kërkesa kryesore për të cilën unë mendoj se institucionet shtetërore duhet menjëherë të angazhohen për t’i kontaktuar dhe për t’i ndihmuar këta njerëz, ka të bëjë me ushqimin e bagëtive. Në çdo shtëpi, çdo individ që do të takonim, kërkesa me urgjente e tyre ishte mundësia e ndihmës ushqimore për bagëtitë. Krahas fatkeqësisë që ata njerëz i ka gjetur, duke humbur një numër të konsiderueshëm bagëtish, por do të jetë e pajustifikuar nëse numri bagëtive, me të cilët ata kanë të lidhur jetën dhe ekonominë e tyre familjare dhe të bashkësisë, të thellohet për shkak të mungesës së ushqimit.

Autoritetet vendore atje më informuan se ka angazhim për të kontraktuar e për të gjetur ushqim për bagëtinë e për t’ua çuar familjeve, por situata më urgjente ishte pikërisht e lidhur me mundësinë e ofrimit të ushqimit për bagëtitë, sepse deri në ato çaste nuk kanë pasur një ndihmë të tillë dhe qytetarët më shumë kishin nevojë për këtë ndihmë, sesa për ndihmat ushqimore për veten e familjet e tyre. Pa dyshim, më pas, në bazë edhe të legjislacionit dhe në bazë të angazhimeve, unë besoj se do të ketë e duhet të ketë një ndihmë edhe për pajisjet e pronën e tyre të banimit, duke mbetur përsëri në kërkesën që fermerët e asaj zone kishin për shkak të asaj zone, të vështirësisë që mund t’u krijohet tani me shlyerjen e kredive që kanë marrë në disa prej bankave private për të zhvilluar ekonomitë e tyre bujqësore e blegtorale. Është një situatë serioze, sepse detyrimet e tyre kontraktore janë, gjithashtu, të parashikuara në ligj dhe situata reale i vë ata në një pozitë dhe vështirësi serioze për t’i shlyer ato kredi, sepse rezultatet e marrjes së të ardhurave nga burimet që ata kanë investuar, pothuajse janë zero.

Në një situatë afatmesme është e domosdoshme që autoritetet përkatëse të parashikojnë ndërhyrjen në infrastrukturë, e cila ka të bëjë me kullimin e zonave që mbeten gjithmonë në rrezik të lartë për t’u përmbytur në rast reshjesh apo edhe në raste të tjera të paraqitjes së këtyre situatave të ngjashme.

Gjithashtu, vizitova komunën Frakull, fshatin Çerven, i cili ishte në një situatë po aq të vështirë ku kishte dëmtime të rënda në investimet në bujqësi, veçanërisht në sistemin e serave. Besoj se për këtë duhet një zgjidhje më afatmesme, sepse ka të bëjë me vlerësimet, por për fat të keq, situata në investimet e tyre të gjatë dhe që e kishin vendosur një traditë të mirë jo vetëm të investimit, por edhe të përfitimit të tyre ekonomik, tregun e brendshëm e të jashtëm, përmbytjet e kishin kthyer në një situatë, pothuajse zero investimin e tyre.

Udhëtimi im dje ndali në një zonë, në fshatin Hoxharë, që kërkon një vëmendje të menjëhershme dhe urgjente. Kjo zonë kërkonte, së pari, një komunikim sa më të shpejtë e të menjëhershëm me autoritetet vendore, një ndërhyrje dhe një gatishmëri për të ndihmuar jetën e tyre, që në fakt, për shkak të relievit e gjeografisë së këtij fshati, vazhdonte të mbetej mjaft problematike. Edhe në Hoxharë, pothuajse si në të gjitha zonat e përmbytura dhe të dëmtuara, banorët kishin një kërkesë më parësore, një kërkesë më urgjente: ushqimin për bagëtitë. Më duhet ta përsëris disa herë, sepse ky mbetet një shqetësim e kërcënim real që lidhet drejtpërdrejti me mundësinë e ushqimit të përditshëm të familjeve, por njëkohësisht edhe në investimet e ekonomisë së tyre familjare që është bërë në ato zona. Rastet e mëpasme treguan që si në Çerven apo edhe në disa fshatra të tjera përreth, kërkohet një vlerësim apo një ndërhyrje afatmesme, veçanërisht në ngritjen e nivelit të digave për të mbrojtur vërshimin e prurjeve në rastin e daljes së ujit nga shtrati dhe normal i lumit, siç ishte edhe rasti i Çervenit ku për një ngritje të një lartësie prej 1 metrash të digës përkatëse, të një gjatësie jo më shumë sesa 1 kilometër, mund të garantohet për një kohë të gjatë siguria e një numri të madh banorësh të asaj zone.

Një situatë e vështirë ishte në fshatin Ferras ku një numër i madh shtëpish gjendeshin të përmbytura dhe sipas, vlerësimit e gjykimit jo vetëm të banorëve, por edhe të autoriteteve vendore, kërkohej një ndërhyrje për një plan më afatgjatë për zhvendosjen e atyre shtëpive; në fakt, për shkak të një vendosjeje krejt të papërshtatshme të ndërtimeve në atë zonë, i cila ishte në të gjitha parametrat e papranueshëm në raport me relievin dhe në raport me rreziqet që paraqiste edhe vija ujore dhe lumore në atë zonë. Në fshatin Ferras, krahas këtyre shtëpive, sipas autoriteteve vendore, kishte rreth 470 shtëpi që ishin të përmbytura dhe ishin tërësisht të pabanueshme në këtë çast nga banorët.

Një çast që dëshiroj ta përcjell në opinionin e vëmendjen e tërë institucioneve shtetërore kishte të bënte me situatën në fshatin Boçovë, situatë që ishte akumuluar prej vitesh e vitesh me radhë, për shkak të mungesës, kryesisht, të një investimi në kanalin kullues të këtij fshati, jo më shumë se 1 kilometër, kërkesë e vazhdueshme e banorëve të asaj zone për autoritet vendore dhe qendrore. Ishte një zonë, që për fat të keq, ishte gati-gati e izoluar, megjithëse një zonë me angazhime njerëzore për të investuar veçanërisht në fushën e blegtorisë me rezultate shumë të larta, gati 250 krerë bagëti të këtyre banorëve ishin mbytur; një fshat me 1500 banorë, nuk ishte pak, të lidhur tërësisht jetën e tyre, kryesisht me blegtorinë, por edhe me bujqësinë. Besoj se vëmendja ndaj kësaj bashkësie në fshatin Boçovë, meriton një kontakt, komunikim apo ndërhyrje e ndihmë emergjente, por edhe afatmesme. Ata banorë meritojnë të marrin ndihmën e institucioneve shtetërore për faktin se, vërtet goditja e ekonomisë së tyre ka ardhur drejtpërsëdrejti nga kushtet e natyrës, por që u ka munguar edhe marrja e masave paraprake për të penguar këtë ndikim kaq negativ që mund të sjellin edhe fatkeqësi të tjera të natyrës.

Kontaktet e takimet vazhduan më pas në komunat e qarkut të Vlorës: në Komunën e Novoselës, në fshatin Fitore e Bishan. Kryesisht ishin të dëmtuara banesat dhe ekonomitë blegtorale të këtyre banorëve. Edhe prej tyre ishte e njëjta kërkesë parësore dhe urgjente për ushqimin e bagëtive, sepse rezervat që ata kishin parashikuar, ishin bërë të papërdorshme dhe ishin zhdukur për shkak të ndërhyrjes së ujit dhe mundësia për të rikuperuar bazën ushqimore për bagëtitë, duke pasur edhe kohën e stinën e vitit në të cilin jemi, linte mjaft shqetësim për këta banorë.

Jam angazhuar përpara këtyre qytetarëve si Kryetar i Shtetit jo vetëm për të mbajtur shënime me shumë kujdes të gjitha problemet që ata më paraqitën, njëkohësisht për të ritheksuar gjithmonë publikisht dhe institucionalisht rëndësisë e ndërhyrjes së kujdesit dhe të angazhimit konkret të institucioneve përgjegjëse të shtetit. Është shumë i domosdoshëm solidariteti njerëzor në këto raste, por më pas është jetësor ndërhyrja e instrumenteve të shtetit, i cili përgatitet gjatë gjithë kohës edha falë ndihmesës së qytetarëve shqiptarë që, në çaste të tilla të vështira, të përgjigjet me asetet që ka shteti, me mekanizmat e tij, me institucionet përkatëse.

Jam i bindur se duke parë angazhimin e institucioneve shtetërore, duke parë motivimin e banorëve të pushtetit vendor atje, koordinimi që kishin me institucionet qendrore që kjo është një situatë plotësisht e kalueshme dhe duhet të jetë një situatë plotësisht e rikuperueshme. Në gjykimin tim është e nevojshme marrja e masave të urgjencë, veçanërisht në garantimin e jetës së qytetarëve në vijimësi, por edhe të ekonomisë blegtorale të tyre, sepse janë zona që e kanë të lidhur jetën personale, të fëmijëve e të familjeve të tyre me blegtorinë e bujqësinë. Ato janë zona që historikisht janë trajtuar me ndihma të veçanta për shkak edhe të përbërjes me nivel të lartë të kripës atje. Edhe kjo ka qenë një arsye që këtyre njerëzve të këtyre fshatrave u është dhënë ndihmesë e veçantë, sepse ka qenë mjaft e vështirë për të rivendosur në nivele eficente të prodhimit bujqësor pronat që ata kishin, ashtu siç në çaste afatmesme, është e nevojshme menjëherë parashikimi e shpërndarja e fondeve dhe ndërhyrja në projekte rehabilitimi të sistemit kullues dhe pengues, njëkohësisht, të përmbytjeve që nuk mund të parashikohen nga njeriu, se janë prurje të natyrës; njëkohësisht, mbajtja në kontakt të vazhdueshëm me përparësitë që kanë të zgjedhurit vendorë atje, të cilët e njohin më mirë se çdo institucione tjetër problematikën e qytetarëve, të familjeve, por edhe mundësinë sesi këto probleme mund të tejkalohen, mund të rivendosen në raporte normale të jetesës, por edhe të parandalohen në maksimumin e tyre të mundshëm në çdo rast.

Natyrisht, krahas angazhimit që ka qeveria çdo ditë, të gjithë këtë përfundim që unë pata nga vizita dhe kontaktet, do t’ua përcjell në mënyrë institucionale ministrive të linjës, agjencive përkatëse, të cilat ngarkohen nga Kushtetuta dhe ligji me detyrat konkretet dhe specifike për të realizuar përgjegjësitë dhe detyrat e tyre te qytetari dhe, njëkohësisht, siç u premtova atyre qytetarëve, do të jem në kontakt me ta në mënyrë të vazhdueshme për të parë sesi është tejkaluar ky çast i tyre i vështirë, sa iu është përgjigjur nga ana e institucioneve shtetërore ndërhyrja për të për ta përballuar e tejkaluar situatën, sa janë parashikuar kontributet e shtetit dhe institucionet e shtetit për të vijuar më pas për normalizimin e jetës së tyre, por edhe për investime afatmesme dhe afatgjata, që kanë nevojë për të bërë të mundur që të rrisin garancitë për sigurinë e jetës, sigurinë e pronës, të terrenit e të mjedisit të këtyre zonave që, natyrisht, edhe për shkak të burimeve ujore që kanë, për shkak të pozicionit gjeografik të tyre kanë rrezikun e përballjes me kërcënime të tilla do ta kenë të përhershëm. Është detyra jonë si institucione shtetërore për të nxjerrë mësime nga përvoja të hidhura të planifikojmë ndërhyrjet përkatëse, të organizojmë investimet përkatëse dhe të orientojmë një bashkërendim ndërinstitucional por edhe të institucioneve me banorët.

Në tërësi, ky ishte qëllimi i vizitës sime në këto zona dhe kjo do të vazhdojë të mbetet objektivi dhe qëllimi i mbajtjes së kontaktit tim atje në terren, me ata banorë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme.

Edhe një herë ju falënderoj shumë për gjithë angazhimin që media, veçanërisht gazetarët e terrenit kanë pasur jo vetëm duke raportuar, por edhe duke ndihmuar në evakuimin e në ndihmën e dhënë banorëve të atyre zonave. Pa diskutim, mbetet një aset i pazëvendësueshëm, por të vazhdojmë të majmë të gjallë informacionin dhe, njëkohësisht, edhe sensibilizimin e angazhimeve të mëtejshme.

Duke ju falënderuar për praninë tuaj, mbetem i hapur për pyetje, nëse do të ketë nga ana e gazetarëve.”

Pyetje (Rovena Moçka-Top Channel): Në panoramën që ju paraqitët, do ta vlerësonit se ishte e nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, nga ana e qeverisë. Dhe nga mënyra sesi ju e përshkuat situatën nga çfarë keni parë dje, a ishin sipas mendimit tuaj masat paraprake të marra nga instancat përkatëse të nevojshme dhe ishin të mjaftueshme sipas jush?

Presidenti Nishani: Nëse do të ketë një shpallje të gjendjes së emergjencës në zona të caktuara, kjo mbetet për t’u vlerësuar nga qeveria shqiptare. Qeveria shqiptare dhe institucionet e saj kanë të gjithë legjitimitetin dhe përgjegjësinë dhe natyrisht eksperiencën profesionale. Kjo është një çështje që u takon organeve të caktuara, i takon qeverisë në radhë të parë, ajo e vlerëson dhe e gjykon. Unë pashë se situata atje nuk ishte një situatë e zakonshme dhe kjo ishte evidente. Nëse unë do të kisha një obligim dhe një detyrim kushtetues dhe ligjor për të vendosur, të jeni të sigurt që unë do të merrja një vendim i cili do të t’u shkonte gjithmonë në favor situatës së qytetarëve, do t’u shkonte në favor edhe në mënyrë më shumë se një angazhim, jetës së dhe pronës së qytetarëve. Por, kjo mbetet një e drejtë e qeverisë dhe gjithsecili prej nesh do të shohë dhe do të vlerësojë sesi institucionet përkatëse përgjegjëse do të përballojnë këtë situatë. Unë e theksova dhe pak më parë që, institucionet përgjegjëse të emergjencave, të shpëtimit të jetës së njerëzve, por dhe të komunikimit ishin pranë njerëzve, ishin marrë masa dhe pikërisht dhe për shkak të marrjes së këtyre masave nuk ka pasur humbje të jetës së njerëzve, por duhet të kuptojmë që, kjo është një fazë që kalon disa momente të caktuara dhe unë i inkurajoj të gjithë ato institucione të shtetit që kanë bërë të mundur përballimin e kësaj situate deri më tani, të vazhdojnë me angazhimet e tjera. Unë gjeta dje rastin të falënderoj forcat e mbrojtjes nga zjarri, punonjësit që punojnë pranë hidrovoreve për mirëmbajtjen e tyre, autoritetet lokale, në mjaft raste policia dhe ushtria kishin ndërhyrë për të shpëtuar njerëz, ashtu siç kishte ende nevojë për të ndërhyrë sepse jo i gjithë informacioni mbërrin atje ku është mekanizmi për të ndërhyrë. Prandaj i kërkova qytetarëve që për çdo gjë të mbajnë kontakt të pandërprerë me kryepleqtë e fshatrave, kryetarët e komunave, por dhe me drejtuesit e këtyre institucioneve në terren që tek Prefekti, por dhe struktura të tjera të angazhuara për këtë situatë emergjente.

Pyetje (Olta Blaceri-Vizion +): Një pyetje që nuk ka lidhje me situatën e përmbytjeve. Kemi patur gjatë ditëve të fundit disa herë ngërçe Qeveri-President në lidhje me dekretimin e ambasadorëve. Ju keni refuzuar të dekretoni dy të fundit; Visar Zhitin dhe Ravesa Lleshin. Ka arsye? Si mund të zgjidhet ky ngërç?

Presidenti Nishani: Ju falënderoj për pyetjen. Në fakt, për të ruajtur gjithmonë linjën e komunikimit tim që kam pasur me median, por dhe me opinionin publik në tërësi, do t’i qëndroj besnik dhe do ta respektoj deri në fund atë. Dua t’ju them se situata e komunikimit dhe marrëdhënieve midis Presidentit dhe Qeverisë në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të marrëdhënieve me jashtë që ka të bëjë me Ministrinë e Jashtme është jokorrekte. Në disa raste po sjell shqetësime që kanë të bëjnë me imazhin e shtetit. Ju e dini që Shqipëria ka presidencën e radhës së iniciativës së bashkëpunimit të Evropës Juglindore, një presidencë që e morëm nga Rumania vitin e shkuar dhe e kemi deri në mes këtij viti, deri në përfundim të gjashtëmujorit të parë. Është traditë që në përfundim të presidencës dorëzohet kjo presidencë te vendi pasardhës, që në këtë rast është Bullgaria që do të marrë presidencën në fillim të qershorit dhe kjo bëhet përmes një samiti të kryetarëve të shteteve në traditën e kësaj nisme. Për herë të parë në këtë traditë, në mënyrë krejt të paargumentuar dhe të papritur informohem, fillimisht jo në mënyrë zyrtare, që qeveria shqiptare ka vendosur që të mos ketë më samit të Presidentëve, të kryetarëve të shteteve, por të ketë një samit të kryeministrave pa konsultë, pa komunikim dhe pa gjykim me Presidentin e Republikës. Duhet të keni parasysh që shteti shqiptar ka obligime dhe natyrisht meriton të ruajë tërë integritetin dhe imazhin që ka si shtet. Një qeveri nuk përfaqëson tërë shtetin. Mund të organizohet një samit i kryeministrave, nuk jam kundër, megjithëse për herë të parë, por mund të organizohet. Unë e kam gjykuar që do të jetë e vështirë që në fundin e majit qeveria të organizojë një samit gjatë kohës që është në fushatë elektorale, por nuk mundet të mohohet dhe të vendoset që nuk do të ketë një samit të kryetarëve të shteteve sepse Presidenca e çdo shteti merret nga kryetari i shtetit. Pra, një raport i tillë cenon në mënyrë serioze imazhin e seriozitetit të shtetit shqiptar.

Ka pasur raste të përsëritura kur në Ministrinë e Jashtme janë bllokuar aktivitete ku është ftuar në evente ndërkombëtare për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Prej shumë muajsh, në mënyrë rastësore mora vesh që isha i ftuar nga komuniteti arbëresh në Itali dhe kjo ftesë e përcjellë nga ambasada jonë në Romë në Ministrinë e Jashtme ishte e bllokuar atje dhe Presidenti nuk kishte asnjë informacion dhe këtë e kam marrë pas një takim krejt të rastësishëm me Ambasadorin tonë atje, zotin Neritan Ceka. Në një kohë që ftuesit, në të drejtën e tyre mund të mendojnë që Presidenti nuk po i tregon respekt duke u përgjigjur që e pranon apo ftesën, apo do t’i vizitojë ata. Ju e dini që në Kroaci ka pasur zgjedhje të reja presidenciale dhe Presidentja e re organizon ceremoninë e inaugurimit të saj dhe ka ftuar krerët, Presidentët e rajonit të Evropës Juglindore, midis të cilëve ka dërguar një ftesë-notë edhe për mundësinë që mund të ketë pjesëmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në një kohë që është konfirmuar pjesëmarrja e shumë presidentëve të rajonit, Presidenti nuk ka pasur asnjë informacion për këtë sepse ftesa dhe nota ka qenë e bllokuar në Ministrinë e Jashtme dhe vetëm pak ditë më parë në një takim krejt spontan me ambasadën tonë në Kroaci informohem që kam një ftesë të tillë, në një kohë që, nëse nuk do të reagonim, është e pajustifikuar që Presidenti të mos kthejë përgjigje, ndërkohë që Presidenti nuk ka informacion. Kroacia është një vend mik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Besoj që këto janë probleme serioze që lidhen me komunikimin pasi shteti shqiptar përfaqëson një dimension shumë më të madh sesa një qeveri, sesa një ministër, apo sesa një institucion i caktuar.

Në lidhje me ambasadorët, unë e kam ngritur dhe herë të tjera shqetësimin, ka të bëjë me procedurën, nuk ka të bëjë me emra konkretë. Nuk kam asgjë për emrin e zotit Zhiti. Por, kam kërkuar si Kryetar Shteti dhe si autoriteti që i emëron, jo që i jep pëlqimin, por që i emëron ambasadorët e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të vendit, të cilët marrin Letrat Kredenciale nga Kryetari i Shtetit dhe ia paraqesin ato Kryetarit të Shtetit ku ata akreditohen, të realizohet përmes një procesi konsulte dhe ky proces i konsultës ka të bëjë pikërisht që Presidenti të njihet nga propozuesi që është Kryeministri me arsyet, kriteret, argumentet pse individi i caktuar mund të shërbejë në një vend të caktuar. Çfarë garancish ka për të promovuar lidhjet e Shqipërisë, çfarë potencialesh ka dhe në përputhje me natyrën, karakteristikat, kulturën e vendit ku shkon për të shërbyer. Kjo ka qenë e vetmja kërkesë që mbetet një kërkesë e imja dhe përsa kohë kjo nuk do të respektohet nga qeveria e bën të pajustifikueshme përfundimin dhe konkludimin e një procesi, i cili nuk është në respekt të Kushtetutës, e cila ja jep Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit të drejtën e emërimit të ambasadorëve.

Pyetje (Rovena Moçka-Top Channel): Zoti President, tek e njëjta çështje. A është konsultuar qeveria më përpara për ambasadorët që ju keni dekretuar? Dhe, në dijeninë tonë nuk ka pasur një praktikë dhe ligji nuk e njeh konsultimin e qeverisë me Presidentin e Republikës për ambasadorët. A është kjo një praktikë e re e vendosur nga Presidenca sepse duket si një paralele e asaj që qeveria kërkon për anëtarët e Gjykatës së Lartë kur kërkon konsultim nga ju për emërimin e tyre?

Presidenti Nishani: Nuk mund të bëjë paralelizma dhe qëndrimet e mia nuk janë për shkak të paralelizmave që mban qeveria duke kërkuar konsultë për emrat e Gjykatës së Lartë. Emrat e Gjykatës së Lartë, përsëri në Kushtetutë, janë emërtesë e Presidentit, pra emërohen nga Presidenti i Republikës. Nuk propozohen, por emërohen nga Presidenti i Republikës dhe në rastin e ambasadorëve përcaktimi kushtetues është shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë që, ata emërohen. Ka pasur raste kur janë njoftuar emra paraprakë. Mund t’ju them rastin e emërimit të Ambasadorit tonë në NATO, zotit Leonard Demi që vinte nga fusha politike, apo të zotit Ilir Gjoni që vinte gjithashtu nga politika për në Zvicër. Pra, ka pasur raste kur janë paraqitur dhe prezantuar paraprakisht tek Presidenti i Republikës. Ashtu siç nuk ka pasur raste të tjera, por i kam tejkaluar për të mos krijuar vështirësi të panevojshme. Përsa kohë vijon të mosreflektohet nga kërkesat e përsëritura të mbështetura në Kushtetutë dhe në të drejtën institucionale të Presidentit të Republikës natyrisht që unë kam dhe obligimin tjetër kushtetues që të ruajë integritetin, imazhin e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Pyetje (Merita Haklaj-ABC News): Zoti President, duke qëndruar po në këtë temë – A jeni konsultuar ju me Ligjin e shërbimit të jashtëm që është dorëzuar në Kuvend dhe a e zgjidh ky ligj këtë situatë, këtë mosmarrëveshje për ambasadorët?

Presidenti Nishani:
Jo, Presidenti nuk është konsultuar, por unë nuk e gjykoj që është korrekte të konsultohet paraprakisht Presidenti i Republikës për të qenë krejt i sinqertë, sepse Presidenti është paraparë që të jetë dekretuesi i një ligji të caktuar dhe në momentet që Presidenti i Republikës do të përfshihet në procesin e konsultimeve e bën të pavlefshëm paanshmërinë e tij në gjykimin e dekretimit apo të mosdekretimit të një ligji nga pikëpamja kushtetuese apo nga çka paraqet si politikë përkatëse ligji. Kështu që, në ligjin konkret ashtu si në çdo ligj tjetër nuk jam konsultuar, por unë nuk e shoh problematike apo konsultimin paraprak të Presidentit të Republikës me përjashtim të asaj që kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj; hartimin e Ligjit për Presidentin e Republikës, për Institucionin e Presidentit të Republikës. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka një ligj për Institucionin e Presidentit të Republikës. Unë prej gati një vit e më shumë kam kërkuar dhe ka qenë funksional një grup i përbashkët pune, sepse ky është një ligj që lidhet drejtpërdrejtë me Institucionin e Presidentit të Republikës me Ministrinë e Drejtësisë. Është depozituar prej kohësh në këtë Ministri një draft i tillë dhe ky është kur unë besoj që është normale që të ndërhyhet dhe në diskutimin paraprak për draftimin e ligjit sepse bëhet fjalë për funksionimin të një ligji organik të vet institucionit. Për ligjet e tjera unë nuk besoj që do të jetë e domosdoshme sepse Presidenti është paraparë që të jetë dekretuesi i një ligji kështu që do të ishte paragjykues nëse Presidenti do të përfshihet paraprakisht para një vendimmarrje kushtetuese, që është dekreti.

Pyetje (Anduela Ndreu – A1 Report): Keni iniciuar para disa kohësh tryezën e reformës në drejtësi, komisioni i reformës në drejtësi, i cili është miratuar vetëm me anëtarët e mazhorancës. Opozita ende nuk është paraqitur në këtë komision duke kërkuar veton në vijimin e punës së këtij komisioni, por që ende nuk ka vendosur që të shkojë ose jo. Pritet vendimi i opozitës për t’u bashkuar punës këtij komisioni. A keni një apel zoti President për palët politike dhe për finalizimin e kësaj reforme?

Presidenti Nishani: Faleminderit për pyetjen. Është e vërtetë që reforma në drejtësi është prioritet mbi prioritetet, por kam theksuar që është jashtëzakonisht e rëndësishme gjithashtu mënyra dhe rruga sesi do ta realizojmë këtë reformë në sistemin e drejtësisë. Nëse ne do ta vendosim reformën në drejtimin e duhur për t’i shërbyer asaj që ne mendojmë sesi do ta kemi drejtësinë tonë nga pikëpamja funksionale, nga pikëpamja e integritetit, nga pikëpamja e profesionalitetit. Ne duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për mënyrën sesi do ta organizojmë reformën në drejtësi. Nëse reformën në drejtësi e konsiderojmë si një argument për të vendosur një kontroll të një pushteti të caktuar mbi instrumentet e sistemit të drejtësisë qoftë përmes ndryshimit të emrave apo individëve të caktuar të cilët edhe në raport me shoqërinë, me komunitetin dukshëm janë identifikuar si njerëz me ngarkesa të mëdha politike, unë besoj që ne nuk e kemi vendosur reformën në drejtësi në drejtimin e duhur. Nuk është fare e vështirë për ne të përcaktojmë se cila është kjo rrugë sepse tashmë rreth nesh, në BE ku aspirojmë të shkojmë, janë praktikat më të mira të provuara dhe konsoliduara. Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Unë e inkurajoj opozitën të bëhet pjesë e kësaj reforme. Është e domosdoshme përfshirja e opozitës sepse hapat që do të merren ne reformën në drejtësi janë hapa të një pune e cila nuk mund ta japë rezultatin e saj as brenda një muaji, as brenda një viti dhe as brenda një mandati qeverie sepse kërkohet të konsolidohet një praktikë e shëndoshë gjyqësore. Prandaj, shpeshherë themi dhe bien të gjithë dakord që është e rëndësishme të krijojmë një Gjykatë të Lartë të shëndoshë, me integritet të lartë, me profesionalistet të lartë dhe të kontrolluar rreptësishtë nga korniza ligjore në funksionimin e saj sepse e lidh me praktikën gjyqësore. Nëse kemi një Gjykatë të Lartë e cila është korrekte në hartimin dhe realizimin e praktikave të unifikuara gjyqësore, ajo automatikisht ka rregulluar në mënyrë thelbësore të gjithë zinxhirin tjetër të sistemit tonë gjyqësor. Për ta konkluduar pyetjen tuaj, se kjo është një pyejte shumë e gjerë, është domosdoshmëri dhe unë inkurajoj përfshirjen e opozitës, njëkohësisht të shoqërisë civile, të njerëzve që kanë vërtetë eksperiencë në këtë fushë dhe të instrumentave të rëndësishëm ndërkombëtarë të cilët kanë paraqitur gatishmërinë e tyre duke filluar nga BE, OBDAT, OSBE, Komisioni i Venecias, të cilat mund të sjellin dhe elaborojnë praktikat më të mira që ekzistojnë dhe duke i përshtatur ato në legjislacionin shqiptar.

Pyetje (Elda Menga – News 24): Zoti President përshëndetje! Ju kishit rezerva për marrëdhënien Presidencë-Qeveri sa i takon aspektit të politikës së jashtme, por fakti që mazhoranca ka votuar tashmë Guvernatorin e ri që ishte propozimi juaj, flet për një shkrirje të marrëdhënieve mes jush dhe shumicës?

Presidenti Nishani: Ju garantoj që nuk ka ofruar dhe as nuk do të ofroj deri në ditën e fundit të mandatit tim asnjë arsye për të krijuar ngërçe apo ngrica midis Institucionit të Presidentit të Republikës-Qeverisë apo çdo institucioni tjetër. E kam konsideruar dhe e konsideroj postin e Presidentit të Republikës si postin më të lartë, më të respektuar dhe më të vlerësuar dhe përgjegjësinë më të madhe që mund të ketë një individ dhe institucionin më të përgjegjshëm të një vendi. Nuk i ndërtoj marrëdhëniet institucionale mbi baza preferencash personale, por i kam ndërguar dhe do të vazhdoj t’i ndërtoj mbi bazën e respektit të ndërsjelltë dhe reciprok institucional duke pasur si një mburojë, por edhe si motiv Kushtetutën e vendit, natyrisht edhe të gjitha ligjet. Kam mirëpritur, do të mirëpres, mbaj komunikim të vazhdueshëm me Kryeministrin, Qeverinë, Parlamentin, me të gjitha institucionet e tjera dhe jam i bindur që një kulturë politike dhe civile e cila është orientuar tek komunikimi, tek respekti reciprok dhe mbi të gjitha mbrojtja e parimeve kushtetuese të shtetit janë çelësi më i mirë për të ecur në mënyrë të suksesshme sepse jam i bindur që çdo institucion ka detyrën e tij kushtetuese përballë qytetarëve të vendit, përballë shtetit të tij, që jo vetëm të angazhohet cdo ditë në përmbushjen e misionit të tij, por të ofrojë dhe një model më pozitiv. Unë besoj që ne e kemi gjithashtu një prioritet për të ndërtuar dhe promovuar modele pozitive.

Pyetje (Kreshnik Kuçaj-Scan Tv): Rikthehemi tek situata emergjente të krijuar në jug të vendit. Në pushtetet e mungesës së një vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sa vështirësohet puna e strukturave shqiptare për të kërkuar asistencë ndërkombëtare në rast nevoje, apo për të kërkuar fonde shtesë që kalojnë fondin e parashikuar në fondin për emergjencën. A ka ndonjë ndikim mungesa e këtij vendimi?

Presidenti Nishani: Pyetja juaj është shumë e drejtë edhe sjell sensibilizim të nevojshëm. Së pari, ka një legjislacion të vendit dhe një legjislacion ndërkombëtar i cili rregullon këto lloj marrëdhëniesh, këto lloj bashkëpunimi me institucionet e tjera ndërkombëtare për të përfituar. Së dyti, kemi një eksperiencë në rajon e cila ka qenë jo shumë e largët. Mos harrojmë që kemi pasur përmbytje në Bosnje-Hercegovinë, dhe në Serbi, dy vende që u dëmtuan shumë dhe që u adresuan për ndihma BE-së dhe natyrisht u kërkua që të rregullohej legjislacioni vendas dhe ai ndërkombëtar. Prandaj, këto praktika ekzistojnë, ky legjislacion ekziston. Natyrisht që unë shoh vështirësi që nëse nuk është baza ligjore e plotë dhe ajo ku mbështeten adresimet dhe kërkesat pastaj do të kemi dhe një reagim pozitiv. Gjithsesi unë inkurajoj institucionet shtetërore që të mbajnë kontakt me autoritetet e BE dhe autoritetet e tjera dhe njëkohësisht edhe unë e bashkoj këtë zë me qeverinë dhe institucionet e tjera shqiptare në drejtim të autoriteteve të BE dhe autoriteteve të tjera të cilët në çdo rast dhe mundësi të ofrojnë një ndihmë për banorët e asaj zone natyrisht brenda hapësirave të veprimit të tyre institucional dhe ligjor.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb