TIRANË- Kreu i Shtetit, Bujar Nishani ka marrë një mesazh falënderimi nga Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella. Presidenti italian i ka shprehur Nishanit vullnetin dhe besimin për intensifikimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes Romës e Tiranës. Mattarella njëkohësisht i ka përcjellë presidentit shqiptar edhe dëshirën për një takim mes tyre.

“Zoti President! Dëshiroj t’ju falënderoj përzemërsisht për urimet që më keni shprehur me rastin e zgjedhjes sime si President i Republikës! Parlamenti vendosi të më jepte besimin e tij në një moment veçanërisht të ndërlikuar dhe delikat për Italinë si dhe për Evropën. Për ta kapërcyer këtë moment është i nevojshëm një bashkëpunim edhe më i madh dhe më intensiv mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe me vendet mike dhe aleate si Shqipëria. Kam besim se përgjatë mandatit tim, në vazhdën e marrëdhënieve të shkëlqyera që lidhin vendet tona, Roma dhe Tirana do të dinë të ndërtojnë raporte edhe më intensive e të thella në të mirë të Evropës si dhe të zhvillimit ekonomik dhe social të Ballkanit Perëndimor.
Me shpresën që do të mund t’ju takoj së shpejti në Romë ose në Tiranë, ju përcjell ju dhe popullit mik shqiptar urimet e mia më të mira për mirëqenie dhe begati”, thuhet në letrën e presidentit italian, drejtuar Nishanit.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb