Tina Turner, e cila ndërroi jetë pak ditë më parë, ishte në thelb një e mbijetuar. E lindur si Anna Mae Bullock në vitin 1939, ajo u zhvendos së bashku me nënën e saj nga Tenesi në St.Louis, Missouri. Tina nisi të këndonte në kishë dhe të frekuentonte klubet e natës në qytet. Aty u njoh në vitin 1957 me Ike Turner, liderin e grupit Kings of Rhythm. Ata filluan të këndojnë së bashku. Ike e siguronte jetesën në një biznes të vështirë, gjithmonë në kufijtë e paligjshmërinë. Ai e kuptoi potencialin e saj të madh dhe u martua me të në vitin 1962.

Si Ike & Tina Turner, ata publikuan shumë hite kryesisht për publikun afro-amerikan. Strategjia e ndjekur nga Ike, i cili preferonte të kalonte nga njëra kompani diskografike në tjetrën, nuk i ndihmoi aspak që të bëheshin në njohur në rang kombëtar apo më gjerë. Ndërkohë në vitin 1966, pranuan propozimin për të regjistruar një album me producentin Phil Spector, i cili në fakt donte të punonte vetëm me Tinën. Rezultati ishte kënga River Deep, e cila dështoi në Shtetet e Bashkuara, por pati shumë ndikim në Evropë. Tina u bë shumë e famshme sidomos në Britani.

Magjepsja e shfaqur nga figura të njohura tashmë të muzikës si Mick Jagger, Rod Stewart dhe David Bowie i ndihmoi ata të fitonin famën që aspironin. The Rolling Stones punësuan Ike & Tina Turner për turneun e tyre në SHBA në vitin 1969. Audiencat e të bardhëve u marrosën pas sensualitetit që shfaqte Tina në skenë por edhe kërcimtarët e saj, Ikettes. Ike, që mendonte rrallë përtej projekteve afatshkurtra, e kuptoi se ishte koha për të kaluar në tregun e rock-ut. Dhe ata e bënë atë me versione të zhurmshme të hiteve si Proud Mary (Creedence Clearwater Revival) dhe Come together (The Beatles), por edhe më këngën origjinale Nutbush City Limits, një krijim i vetë Tinës. Por ajo për të cilën heshti për shumë kohë, ishte fakti që jeta me Ike, një person i varur nga kokaina, ishte një ferr i vërtetë.

Në vitin 1976, ajo e braktisi në Dallas dhe bëri kërkesën për divorc. Ai moment do të ishte një kthesë thelbësore në jetën e Tinës, e pasqyruar më vonë në filmin biografik, një rol i luajtur nga aktorja Angela Bassett. Ajo u detyrua t’ia niste nga e para, dhe iu desh të pranonte të gjitha llojet e punëve për të paguar qiranë e shtëpisë. U mor me muzikën e diskove dhe u rishfaq në qarkun e klubeve të natës. Si një njollë e errët në karrierën e saj, ishte koncerti i mbajtur në Afrikën e Jugut, në kohën e regjimit të Aparteidit. Në vitin 1979 u lidh me Roger Davies, një menaxher australian, i cili hartoi një plan të zgjuar për të rritur karrierën e saj. Ajo nënshkroi një kontratë me kompaninë shumëkombëshe Capital Records dhe u fokusua në krijimin e albumeve me këngë, që nxirrnin në pah imazhin e saj si një grua sensuale dhe e fuqizuar. Kompania kishte producentë të ndryshëm që mbulonin gjithçka, nga muzika techno pop deri tek ajo rock.

Albumi i saj i vitit 1984, Private Dancer, do të shiste miliona dhe do të bëhej prototipi i një mënyre të re për të kuptuar pop-in me spektër të gjerë, qasje që u kopjua më vonë nga Whitney Houston dhe diva të tjera të muzikës. Tina dominoi hit-paradat në televizion dhe skenat gjatë viteve 1980-1990. E vërteta është se ajo nuk u ndal kurrë. Ajo bëri duete me fansat e saj britanikë, dhe u shfaq në një film të sagës Mad Max. Më vonë e rindërtoi jetën e saj me një drejtues tjetër të një kompanie muzikore, Erwin Bach, me të cilin ndante besimin budist. Doli në pension në vitin 2000, megjithëse kreu një turne lamtumire në vitin 2008. Në atë kohë ajo tashmë ishte duke banuar në Zvicër, një vend shumë i dashur për të. Në shenjë mirënjohjeje, në vitin 2013 u bë një shtetase zvicerane e natyralizuar dhe hoqi dorë nga shtetësia e saj amerikane. / “El Pais” – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: