Një person u gjet i vdekur në një makinë të zhytur në ujë dhe 10 të tjerë raportohet se u zhdukën të mërkurën, pasi shiu i madh shkaktoi përmbytje  në Australinë lindore.

Trupi i 60-vjeçarit të mbytur u gjet herët të mërkurën në shtetin e Queensland, tha kryeministrja Annastacia Palaszczuk në parlament, duke e përshkruar incidentin si një “tragjedi”.

Pothuajse gjysmë metri shi ka rënë në disa pjesë të shtetit në 24 orët e fundit, duke shkaktuar mbyllje të shumta të rrugëve dhe kaos në transport.

Shërbimet e urgjencës kanë marrë më shumë se njëqind thirrje për ndihmë dhe ekuipazhet e shpëtimit të ujit janë dërguar për të shpëtuar dhjetëra banorë të bllokuar.

“Kjo ka potencialin të jetë një ngjarje e rëndësishme reshjesh për Queensland-in juglindor,” tha Palaszczuk.

Një tren mallrash është përmbysur në afërsi të qytetit Gympie, megjithëse drejtuesi i mjetit thuhet se ka pësuar lëndime të lehta.

Pesëmbëdhjetë diga të Queensland janë në kapacitet dhe më shumë shi priten në ditët në vijim.

“Rreshjet lokale intensive janë të mundshme dhe meqenëse shumë ujëmbledhës tani janë të ngopur, ekziston një rrezik në rritje i përmbytjeve të shpejta të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën gjatë ditëve në vijim,” tha Palaszczuk.

Policia paralajmëroi drejtuesit e automjeteve që të shmangin lëvizjet nëpër rrugët e përmbytura dhe të qëndrojnë në shtëpi.

“Përmbytje të shpejta po ndodhin në rrugë dhe ura,  rishikoni nevojën tuaj për të udhëtuar sot,” u tha policia banorëve.

Shiu i madh ka goditur gjithashtu shtetin e Uellsit të Ri Jugor, ku pjesë të Sidneit u zhytën për pak kohë të martën.

Pas disa vitesh thatësire dhe zjarresh të përkeqësuara nga klima, lindja e Australisë po përfundon një verë  jashtëzakonisht të lagësht.

La Nina rrit shanset e cikloneve tropikale në brigjet e Paqësorit të Australisë dhe sjell reshje mbi mesataren, sipas Byrosë së Meteorologjisë të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb