Një grua suedeze dogji një kopje të Kuranit të Shenjtë të premten në sheshin Gustav Adolfs Torg ndërsa mbante gjithashtu një kryq. Sipas pamjeve të ngjarjes në rrjetet sociale, gruaja shoqërohej nga një burrë që kishte një flamur izraelit në supe.

Ajo ishte e njëjta grua që përdhosi Kuranin e Shenjtë javën e kaluar pranë Stokholmit. Të enjten, policia suedeze njoftoi se ka dhënë leje për përdhosjen e cila vjen para fillimit të Eurovision Song Contest 2024. Ndërkohë, organizatorët e konkursit të Eurovizionit njoftuan se do të heqin çdo flamur palestinez dhe simbol pro-palestinez në shfaqjen e javës së ardhshme.

Grupet pro-palestineze pritet të organizojnë protesta të mëdha në Malmo për të rritur ndërgjegjësimin për kauzën e tyre dhe për të protestuar ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në konkursin e këngës në mes të  sulmit ushtarak në Gaza , ku më shumë se 34,000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në shtatë muajt e fundit. Lejet  e përdhosjes së Kuranit  vijnë pasi Suedia është dënuar gjerësisht nga shtetet dhe organizatat myslimane për lejimin e akteve të tilla të ndodhin nën maskën e lirisë së fjalës.

Ambasadori i Izraelit në Suedi Ziv Nevo Kulman dënon djegien e Kuranit, ndërsa njëri prej pjesëmarrësve mbante mbi supe flamurin izraelit.  “Djegia e librit të shenjtë të Kuranit gjatë valëvitjes së flamurit izraelit është një akt i neveritshëm mosrespektimi, jo vetëm ndaj 20% të qytetarëve izraelitë të besimit mysliman, por edhe kundër vlerave të tolerancës dhe respektit të ndërsjellë. E dënoj me fjalët më të forta këtë veprim frikacak. Malmö duhet të bashkohet nga muzika javën e ardhshme, jo urrejtja!”, shkruan Kulman në Twitter.

Suedia njoftoi vitin e kaluar se po shqyrtonte masa ligjore që do t’i mundësonin policisë të mohonte lejet e demonstrimit për arsye të sigurisë kombëtare, megjithatë, asnjë hap praktik nuk është ndërmarrë nga zyrtarët deri më tani. Kjo ndodh ndërkohë që Danimarka miratoi legjislacionin dhjetorin e kaluar që kriminalizon djegien publike të kopjeve të Kuranit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb