(La familia grande i Camille Kouchner)

Isha shumë i interesuar ta lexoj këtë libër për të kuptuar më mirë skandalin që shkaktoi, por nuk kisha ndërmend të shkruaj ndonjë post. Se edhe kur kalohet një masë mund të interpretohet si imponim i disa parapëlqimesh apo shijesh të caktuar, më mos ndikimi i tërthortë.

Por për këtë libër do t’i them dy fjalë sepse lidhet tërthorazi me një person të nderuar në botën shqiptare, por më tepër për guximin e thyerjes së tabuve, siç është inçesti, gjë për të cilën edhe vetë shoqëria franceze ka heshtur shumë gjatë. Gjykoj se kjo ndodh edhe në shoqërinë shqiptare.

Autorja është Camille Kouchner, një avokate e njohur dhe profesoreshë e së Drejtës Civile. Është vajza e mjekut dhe politikanit të njohur Bernard Kouchner, e atij që më ka ngelur një kujtesë si guvernatori i parë i Kosovës së lirë, dhe që kam pasur rast ta dëgjoj në mjaft konferenca duke e mbrojtur me zjarr e pasion Kosovën dhe popullin e saj.

Nëna e saj është Evelynë Pisier, profesore e së Drejtës dhe militante feministë e majtë shumë e njohur. Nga fundi i viteve ’60 shkoi në Kubë për t’u njohur me revolucionin dhe qëndroi aty për katër vjet. Të bijës i ka pohuar se ka patur një lidhje dashurie me Fidel Kastron. Në të njëjtën kohë ka njohur edhe Bernard Kouchner-in, me të cilin u martua dhe pati tre fëmijë.

Çifti Kouchner do të ndahet kur fëmijët ishin ende mjaft të rinj dhe të bijës më vonë Evelina do t’i tregojë se me Bernardin bashkëjetesa nuk kishte shumë kuptim sepse ai me organizatën e tij të Mjekëve të Botës, nuk gjendej kurrë në shtëpi kur kishin nevojë për të. Për më tepër, sipas fjalëve të saj, Bernardi në çdo port ku shkonte kishte nga një grua.

Dhe të gjitha këto Camille i ka pohuar në librin në fjalë.

Pas ndarjes ajo do të martohet me Olivier Duhamel, një konstitucionalist dhe politolog mjaft i njohur francez, gazetar dhe animator emisionesh me audiencë të madhe.

Në pamje të jashtme gjithçka shkon mirë. « La familia grande » (ka ironi ne këtë titull) jeton midis Parisit dhe një vile të madhe që kanë në Sanary, diku në jug të Francës.

Pra, shihet se është fjala për një familje tipike të borgjezisë së lartë të franceze, të atyre që njihen me termin “bobo” që është një kontraksion i “bourgeois-bohème”, njerëz që shprehin një lloj antikonformizmi, mbrojnë të drejtat njerëzore, janë me prirje ekologjiste dhe kanë me një stil jete që shpreh bindjet e tyre.

Natyrisht, autorja e librit nuk e thotë një gjë të tillë, por jeta e saj rrjedh pa shumë andralla në një mjedis të tillë deri sa merr vesh se burri i nënës së saj, Olivier Duhamel-i, i kishte imponuar të vëllait një marrëdhënie inçestuoze, sepse ligji francez të tillë e sheh edhe kur viktima nuk është fëmija i tij i drejtpërdrejtë, por që ai e ka në ngarkim familjar.

Këtë Camille e mëson nga i vëllai. Që nga ajo kohë që të dy jetojnë me ankthin dhe marazin e madh që kanë e që nuk mund t’ia thonë kurrkujt. Kanë frikë të madhe nga mënyra se si do të reagojë mamaja e tyre Evelina, që përfundimisht nuk është se ka ndonjë reagim të veçantë.

Libri është shkruar mjaft mirë, është dëshmi e dashurisë së madhe që ka autorja për prindërit dhe vëllanë e saj dhe në çdo faqe distilon një dhimbje të jashtëzakonshme të atij sekreti që ajo ka mbajtur të fshehtë gjithë jetën, deri më 2018,  kur uli e shkroi këtë libër që shpërtheu një skandal të vërtetë.

Libri më tronditi edhe sepse ai e transmeton fare kthjellët idenë se sa të vetmuar ndihen ata njërëz që janë viktimë e të tilla krimeve.

Më kujtoi edhe diçka tjetër që ne punonjësit socialë e njohim mirë. Shpesh policia përgjon pranë shkollave për të vegjlit, që t’i ruajë nga predatorët seksualë, por në shumicën e rasteve ata gjenden brenda familjes.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb