Një memorial drite u ngrit në sheshin Skënderbej në përkujtim të viktimave të diktaturës. Ndërsa në ekranin e madh shfaqej imazhi i Sabiha Kasimatit, një pasardhëse e saj, ndizte një qiri ndërsa ish të përndjekur politikë dhe qytetarë, mbanin në duar karafila të bardhë. Memoriali i dritës, do të jetë nismë e përvitshme e “Ditëve të Kujtesës” në shesh, në përkujtim të viktimave të diktaturës.

26 shkurti shënon përvjetorin e ekzekutimit pa gjyq të 22 intelektualëve me preteksin e Bombës në Amabasadën Sovjetike, më 1951. Gëzim Peshkëpia, i biri i një prej të pushkatuarve, Manush Peshkëpia, e përkujtoi ngjarjen i prekur.

“Tamam 71 vjet përpara, Tirana ishte e vogël dhe ndjeu të goditet. Ishte një terror shtetëror i mirorganizuar. Akoma më e dhimbshme, është se në mesin e viktimave ishte një grua e re, shkencëtare që kishte qenë në klasë me Enver Hoxhën, Sabiha Kasimati. Babai im ishte një poet i ri, ai dinte të thurte vargje dhe nuk ishte terrorist sepse preteksti i ekzekutimit të tij, ishte terrori. Një memorial në kujtim të atyre viktimave do të ishte një balsam për këtë plage”, tha ai.
Memoriali i Dritës u organizua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë si simbolikë e memorialit të munguar në qendër të qytetit duke shënuar mbylljen e Ditëve të Kujtesës.

Jonila Godole, nga IDMC, u shpreh se “jemi mbledhur në shesh për të ndezur dritën e mirënjohjes për ata që sakrifikuan jetën e tyre gjatë regjimit diktatorial. Do të kishim dashur të kishim këtu një memorial që të vinim lule dhe të ndiznim një qiri. Por, pas gjithë kërkesave në vite, ne ende nuk e kemi atë memorial. Por nuk dorëzohemi”. Edicioni i shtatë i Ditëve të Kujtesës u mbajt në datat 17-26 shkurt me temë “Mitet e komunizmit”. Ndërsa u ndërmor nisma për një peticion për Dekomunistizim e Drejtësi dhe u shfaq ekspozita’ Fytyrat e Diktaturës’, një sërë konferencash dhe takimesh u mbajtën në Tiranë e rrethe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: