SARANDË-Një ngjarje jo e zakonshme i ka ndodhur një pushuesi në Sarandë. Edhe pse viktimë e kafshimeve të një qeni pastor gjerman, ai është denoncuar në prokurori nga i zoti i qenit. Personi me inicialet N.SH tregon për BalkanWeb se pas kafshimeve dhe përleshjes me qenin, ai mundi ta godasë me gur dhe ta shtrijë në tokë qenin e llojit ‘pastor’ gjerman.

“Isha me pushime ne Sarandë po u sulmova nga një qen pastor gjerman i cili me ka kafshuar krahun të cilin e kam me qepje nga të dyja anët. Në përleshje me qenin si dhe për të mbrojtur bashkëshorten, qenin e godita me gur në kokë dhe ra në tokë pa lëvizur”.

N.SH thekson se në fillim, i zoti i qenit i bërtiti me të madhe, por kur i pa krahun që i rridhte gjak, nuk foli, por u përkul nga kafsha dhe nisi të merrej me të.
“Mua më mori një makinë e rastit, bashkë me nusen dhe më dërgoi në urgjencën e Sarandës”.

N.Sh vijon rrëfimin se menjëherë shkoi në spital ku bëri mjekimet e duhura dhe duke u përgatitur ta denoncojë rastin në polici, kujtoi se me kaq përfundoi gjithçka. Por, jo, mëson se i zoti i qenit e ka denoncuar i pari rastin dhe e akuzon N.Sh për vrasjen me qëllim të qenit të tij ‘pastor’ gjerman.

“Rastin e kam denoncuar në polici dhe do cohet në prokurori për ndjekje penale. Por mësoj se gjithashtu dhe pronari i qenit më ka denoncuar për vrasjen e qenit dhe do shkoj ky rast për ndjekje”.

Sic thotë, N.Sh, tani mbetet të mësohet se kush do të fitojë në këtë ngjarje, qytetari që ishte me pushime, apo qeni që kafshoi pushuesin.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb