Policia në Spanjë dhe Itali arrestoi 11 persona dhe sekuestroi më shumë se pesë tonë vaj ulliri të falsifikuar që do të hidhej në treg.

Gjate operacionit të policisë u sekuestruan edhe 91 mijë euro para cash dhe katër automjete, ndërsa autoritetet bllokuan llogaritë bankare.

Hetimet u kryen nga policia spanjolle në bashkëpunim me karabinierët italianë dhe Europol. Në të dy vendet u kryen bastisje si dhe kontrolle të fermave në tre provinca spanjolle.

Dyshimet për aktivitetin e paligjshëm u ngritën nga policia spanjolle kur u zbuluan parregullsi gjatë kontrollit të një kamioni që transportonte vaj ulliri. Së shpejti ata zbuluan një operacion të dyfishtë në Spanjë dhe Itali që synonte shpërndarjen e vajit të ullirit të falsifikuar në tregun botëror.

Një kompani në Spanjë po blinte vaj ulliri me cilësi më të ulët dhe po kalonte në falsifikimin e vajit të ullirit duke e paraqitur atë si të virgjër ose ekstra të virgjër, duke falsifikuar dokumentet. Një veprim i ngjashëm është ndërmarrë nga një kompani në Itali, raporton Guardian.

Çmimet e larta, prodhimi i reduktuar i vajit të ullirit dhe kërkesa në rritje krijojnë “tokën e përsosur” për mashtrime të tilla, thotë Europol.

Çmimet e vajit të ullirit janë rritur në të gjithë Evropën pasi thatësira dhe kushtet e tjera të pafavorshme të motit ndikojnë në të korrat për të dytin vit radhazi. Prodhimi botëror pritet të bjerë në 2.4 milion ton, më pak se të korrat e vitit të kaluar dhe shumë më pak se kërkesa globale prej rreth 3 milion ton.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb