TIRANË

Bujar Leza, 45-vjeçari i arrestuar sot për vrasjen e biznesmenit Behar Sofia në shkurt të këtij viti do të përgjigjet për katër vepra penale: “Vrasja me paramendim”; “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

45-vjeçarit i është komunikuar masa e sigurisë e vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, arrest me burg teksa ndodhej në ambientet e burgut të Fushë-Krujës, i arrestuar për dhunë në familje.

Por cili ishte roli i Bujar Lezës në vrasjen e bujshme të biznesmenit Sofia?
Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se Bujar Leza nga Larushku, kishte njohje me të arrestuarin tjetër si bashkëpunëtor Leonard Xhixha dhe së bashku kanë ruajtur lëvizjet e objektivit të sulmit Behar Sofia.

66-vjeçari Sofia u ekzekutua mëngjesin e 25 shkurtit në kryeqytet, pranë Piramidës, në një zonë me lëvizje të shumta. Për ngjarjen janë arrestuar më herët 4 persona, Ernejt Shyti si ekzekutor dhe tre bashkëpunëtorët e tij Skënder Vathi, Leonard Xhixha dhe Xhuljano Visha.

Në videon e mëposhtme të publikuar nga “BalkanWeb”, të siguruar nga kamerat e sigurisë nga gazetarja Klodiana Lala, autori i krimit është personi i fundit që duket në pamje, ku siç shihet ecën duke çaluar teksa ndjek biznesmenin Sofia ditën e ekzekutimit.

Ndërsa në videon e dytë, 24-vjeçari Shyti shihet teksa ndjek shënjestrën anës Lumit të Lanës, ku edhe e ka ekzekutuar me dy plumba.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb