Kryeministri Edi Rama ka kujtuar në Milano faktin që shqiptarët të cilët u detyruan të jetonin në Greqi, u detyruan gjithashtu të ndryshonin edhe emrat që u kishin vënë prindërit.

Ai tha se ky ishte një turp në mes të Europës. Ndërsa veçoi se në Itali shqiptarët nuk u detyruan me forcë të ndryshonin identitetin e tyre.

Kreu i PS ishte sot në një takim me shqiptarë në Itali, ndërhohë që javën e ardhshme ai do të jetë në Britani, në një takim i cili do të organizohet në Londër.

“Motra e vëllezër, mora shumë mesazhe nga shqiptarët në Itali pas valles kuqezi në zemër të Greqisë. Në më shumë se një rast më thonin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur. Ndjeheshit të përjashtuar nga një garë dhimbjeje.

Ju shqiptarët e Italisë nuk i ndërruat emrat forcërisht dhe gjerësisht siç iu ndodhi tragjikisht qindra mijëra vëllezërve e motrave tona në Greqi, për një arsye të vetme dhe të lemeritshme që e dimë shumë mirë të gjjthë. Do të mbetet një njollë turpi në historinë e Europës demokratike”, tha ai.

Megjithatë kreu i qeverisë theksoi se në Itali pati shqiptarë që ndryshuan vullnetarisht emrin e tyre për t’i shpëtuar përndjekjes për faktin se ishin shqiptarë.

“Por ama nuk ishin të pakta rastet kur ju e morët përsipër vullnetarisht këtë ndryshim të identitetit që ajo zilja përndjekëse e stato albanese të mos i hapte një dreq punë një Haxhiu që e pagëzoi veten Gigi apo një drite që u rilind si Lucia. Por mbase formula e ekuacionit të njohjes së jashtëzakonshme teorike të Italisë pa e shkelur fare akoma bashkuar me domosdoshmërinë praktike të fshehjes së gjurmëve të të qenurit shqiptar gjatë atij impakti të bujshëm të albanesëve në pasqyrat mediatike, shpjegon fuqinë vetëtransformuese që i bëri qindra mijëra shqiptarë të Italisë të përshtaten me një shpejtësi mbresëlënëse në botën e emigracionit shqiptar që në brezin e parë të të ardhurve”, vijoi më tej Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: