Pas 7 fitoreve radhazi, Milan bie pikërisht atëherë kur nuk duhej, pëson një humbje 0-1 në shtëpi përballë Roma-s, një humbje që ndërlikon jo pak objektivin e tyre për të triumfuar në Europa League. Në “San Siro”, në derbin italian, triumfoi ekipi i De Rossit që siguroi një bonus të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në fazën çerekfinale.
Mancini, pasi “pushtoi” kryeqytetin, pasi vendosi derbin me Lazio-n, rezultoi përcaktues edhe përballë “djallit”, teksa në minutën e 17-të me një goditje të saktë me kokë kaloi Romën në avantazh. Kuqezinjtë morën kontrollin e lojës, duke ushtuar presion në zonën e kundërshtare, por në asnjë moment ofensiva e Piolit nuk ishte e saktë në pasin final. Ishin dhe të pafat si në fundin e ndeshjes, ku Giroud në mënyrë flagrante shumë pranë vijës fatale goditi traversën duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar.
Sipas mediave italiane, Mancini rezultoi lojtari i ndeshjes i vlerësuar me notën 8. Në radhët e Milanit është e vështirë të gjesh nota pozitive, por lojtari më pak i vlerësuar rezultoi Rafa Leao, nota 5, thjeshta hije e emrit të tij në “San Siro”. Me të njëjtën notë i vlerësuar edhe Giroud.
Mancini ishte kryefjala e mediave, një personazh që ka qenë në qendër të kritikave pas derbit të kryeqytetit: “Magjik”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë.
(BalkanWeb)