Projekti-pilot i votimit dhe numërimit elektronik në këto zgjedhje do të implementohet në Tiranë.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka deklaruar në mbledhjen e fundit se është arritur dakordësia edhe me partitë politike që ky projekt të jetë në Tiranë, për shkak të kohës dhe financave.

PD-LSI propozuan që projekti-pilot të implementohej në Korçë e Fier, kurse PS në Tiranë e Korçë.

Tashmë në zgjedhjet e 25 prillit një prej njësive zgjedhore do të votojë në mënyrë elektronike me projektin-pilot, po ashtu dhe votat do të numërohen elektronikisht, ndërsa projektvendimi u miratua sot.

ZAZ që do të përzgjidhet në Tiranë, sipas KQZ nuk duhet të ketë më shumë se 55 qendra votimi.

 

”Sikurse jeni në dijeni, KQZ ka synuar të implementonte projektin pilot në jo më pak se 10% të qendrave të votimit apo më shumë se 20% të qendrave të votimit, projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhje.

Gjatë kësaj periudhe jemi përpjekur me partitë të kishim dakordësi mbi zonat ku ky projekt do implementohej. Pas diskutimeve, të shumta dhe konsultimeve jemi dakordësur që për shkak të ngushtësisë së kohës, implikimeve financiare e njerëzore. Do ishte e vështirë për KQZ që ta shtrinte implementimin në një numër qendrash votimi me jo më pak se 10% apo më shumë se 20%. Qëndronte interesi që për këto zgjedhje ky të implementohej në mënyrë pilot.

Prandaj kemi ceduar, si KQZ apo partitë politike nga interesi i parë për të zhvilluar këtë projekt në këtë segment. Dhe jemi dakordësuar që të jetë e mundur në një zonë më të vogël. Pas konsultimeve të bëra nga komisioneri shtetëror, projekti pilot të implementohet në një prej ZAZ-ve të Tiranës. Do të na krijonte dhe jepte një indicie mbi efektet e projektit. Mendohet të jetë njësia zona zgjedhore që i përket njësisë nr.8, ose nr.3 në Tiranë. Secila ka nga 52 qendra votimit. Kemi vendosur limitin.

Kemi marrë në referencë këto dy, nuk fsheh një prej këtyre dy njësive mund të ishte zona ku mund të implementohet projekti. Konsideruar planin dhe përbërjen demografike të këtyre dy zonave.”- tha Celibashi

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb