Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, me figura të njohura të skenës shqiptare që kanë shprehur qëndrimet e tyre përmes rrjeteve sociale.
Artistë dhe personalitete nga fusha e muzikës, televizionit dhe shoubizit kanë reaguar pas shpalljes së aktgjykimit, duke shprehur mbështetjen e tyre për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Në postimet e tyre, disa prej figurave publike kanë shprehur zhgënjim dhe pakënaqësi ndaj vendimit, teksa dënimet e shqiptuara janë komentuar prej tyre si tepër të rënda.
Mes emrave të njohur që kanë reaguar në rrjetet sociale janë këngëtarët Leonora Jakupi, Capital T, Ermal Fejzullahu dhe Yll Limani si dhe figura të tjera të ekranit e shoubizit përfshirë: Gresa Gashin, Kader Kicajn, Bora Zemanin dhe Benita Zenën. Reagimet e tyre kanë ardhur pak pas shpalljes së aktgjykimit, ku Thaçi u dënua me 25 vite burgim, Krasniqi po ashtu me 25, Veseli me 18 dhe Selimi me 13 vite burgim. Përmes mesazheve të tyre, figurat publike kanë përcjellë qëndrime personale dhe emocionale lidhur me vendimin, duke bërë që reagimet në rrjetet sociale të marrin vëmendje të konsiderueshme.
