Aktivisti Napolon Laska, i ftuar në News24 Fundjavë, ka komentuar valën e protestave që ka përfshirë Tiranën ditët e fundit. Gjatë fjalës së tij, Laska u shpreh se këto tubime janë një shenjë pozitive, duke i cilësuar si një “ditë feste” për faktin se qytetarët po ndërgjegjësohen dhe po reagojnë jashtë kornizave të partive politike.

“Protesta është ditë feste për shqiptarët sepse po mësojnë të reagojnë përtej partive politike,” tha aktivisti, duke vlerësuar zgjimin qytetar.

Laska deklaroi se revolta e njerëzve buron nga akumulimi i pakënaqësive në tre dekada tranzicion, të cilat i kanë çuar shqiptarët në pikën e fundit të durimit.

“Kjo nuk është më protestë e pelikanit kaçurrel, është e nervave kaçurrel që u janë bërë shqiptarëve në këto 30 vite nga keqqeverisja, pabarazia dhe mungesa e garës që ka sunduar në Shqipëri në këto vite,” u shpreh ai.

Më tej, Laska lëshoi akuza të forta ndaj strukturës aktuale politike dhe ekonomike në vend, duke vënë gishtin te degradimi i institucioneve dhe humbja e vlerave, ku sipas tij, krimi dhe analfabetizmi kanë zënë vendet kryesore.

“Sot kemi njerëz kriminelë, trafikantë droge që konsiderohen biznesmenë, kemi analfabetë funksionalë që janë në Parlament. Ndaj kanë dalë njerëzit në rrugë, kemi familjet e ndara nga emigrimi, nuk përballojnë dot jetesën,” përfundoi Laska.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb