Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur të mos marrë parasysh kërkesën e Ardian Dvoranit për rikthimin e tij në këtë institucion. Në mbledhjen e ditës së sotme, KED ka shqyrtuar kërkesën e Dvoranit, ku në fund ka vendosur se “Nuk hyn në veprimtarinë dhe kompetencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendimmarrja e kërkuar me anë të “Njoftim Qëndrimi“ të përcjellë nga Z. Ardian Dvorani”.

Në këtë mënyrë, KED ka pranuar argumentin e Presidentit Ilir Meta se Dvorani nuk mund të jetë më pjesë e këtij institucioni të rëndësishëm. Kujtojmë se pak javë më parë Ardian Dvorani iu drejtua KED-së me një letër publike, ku i kërkonte rikthimin në detyrë, me argumentin se “E konsideroj të papërshtatshme qenien të pranishëm në këtë mbledhje të Këshillit, deri në diskutimin dhe vendimmarrjen e domosdoshme të Këshillit për çështjen e vijueshmërisë ose jo të ushtrimit të detyrës sime si anëtar i KED në mbledhjet dhe veprimtaritë e ardhshme të tij”.

Ardian Dvorani u largua nga detyra si kryetar i KED nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi i kishte mbaruar mandati, por vazhdonte të qëndronte, me pretendimin se nuk i ishte gjetur zëvendësuesi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: