Pas tre rezultateve pozitive që sollën pak shpresë, Italia ra në mënyrën më të keqe të mundshme, humbja me “manita” përballë Gjermanisë është e vështirë për tu përtypur nga ambienti “azzurr” dhe nga vetë Roberto Mancini:

“Mëkat ta mbyllësh në këtë mënyrë, ata janë të fortë dhe ne dinim këtë, por bëmë shumë gabime dhe i lejuam të luanin. Nuk arritëm të mbroheshim si një skuadër ndërsa ishim shumë të ekspozuar në kundërsulmet e tyre.

Çfarë do të thotë kjo humbje? Kjo është një rrugë e gjatë ku do të bëjmë gjëra të mira dhe pak të mira, të vjen keq të humbasësh në këtë mënyrë”, u shpreh ndër të tjera Roberto Mancini në mikrofonat e Rai Sport.

Situata është ndryshe në kampin gjerman, Hansi Flick shijon në maksimum këtë sukses historik: “Pas tre barazimeve disa gjëra nuk po shkonin mirë, për ne dhe për skuadrën sfida ndaj Italisë ishte një test-stres, ishte shumë e rëndësishme të fitonim. Më duhet ti bëjë komplimentet e mia skuadrës, përmbushëm një objektiv, bëmë shumë mirë në fazën sulmuese, ishte një fitore mese e merituar. Tani mund të shkojmë të qetë në pushime. Kemi kohë të analizojmë të gjithë ndeshjet, në shtator duhet të bëjmë më mirë”, u shpreh Flick në konferencë për shtyp.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb