Kreu i Kadastrës, Artan Lame, foli për abuzimet që janë bërë në regjistrat e pronave në drejtoritë e Tiranës, ndërsa paralajmëroi edhe ndëshkim për abuzuesit.

I pyetur nga gazetarët nëse do të merren masa për abuzuesit me pronat, Lame u shpreh se raporti do t’i dërgohet Prokurorisë, e cila do të gjejë përgjegjësit e do t’i vërë para drejtësisë.

“Ajo që desha të përçoj është pikërisht besimi. Pra, nuk ka më prekje. Kontrolli ka filluar para disa muajve, situata është ngrirë, dhe tani po nxjerrim përfundimet e raportit. Ky raport do të përfundojë në Prokurori, që nga ana e saj do të nxjerrë persona konkret. Duhet të marrim gjysmën e shqiptarëve t’i bëjmë përgjegjës për pronat, apo gjithë administratat në vend. Prokurorinë nuk e ndalon askush të marrë e të vërë para përgjegjësisë edhe persona të veçantë, por ka qenë gjithë sistemi i molepsur, i ndërtuar keq. Pastaj edhe zyrat e ZRPP-ve bënin pjesën e tyre të molepsjes.

Kjo është lista me AMTP e vërteta, që ja kemi çuar çdo zyre, ndaj dhe qytetarët tashmë duhet të rrinë të qetë, sepse nuk ndodh më që të zgjohen me dikë, që ju është mbivënë. Madje, mund të zgjohen me zbulimin se çfarë i kanë bërë me pronën e tij. Mbivendosja e pronave, e shkaktuar në këtë lëmsh, zgjidhet ose me ligjin e ri, ose me gjykatë. Për fat të keq, shumë qytetarë do jenë të detyruar t’i drejtohen gjykatës, për shkak të mbivendosjes. Nuk duhet të harrojmë që Kadastra tashmë është një mulli i rinovuar, por që për fat të keq bluan grurë të vjetër, sepse i tillë është materiali. Tani po mbjellim grurë të ri, që është digjitalizimi”, u shpreh Lame.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb