Mes dhimbjes së thellë, trishtimit e lotëve, familjarë, të afërm, miq e fqinjë i dhanë lamtumirën e fundit të miturit që u përplas tragjikisht me makinë nga regjisori Petri Bozo, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi në rrugën në Mengël të Elbasanit.

Zia e heshtja kanë kapluar fshatin Mengël, ku familja Samurri ka hapur dyert e mortit, për të përcjellë në banesën e fundit 7-vjeçarin që jeta iu pre në mes padrejtësisht. Në dhimbjen që s’ka ngushëllim për prindërit, miqtë e familjes shprehen të tronditur për ngjarjen dhe kërkojnë dënim maksimal për shoferin që nuk e uli shpejtësinë as përpara shkollës, ku kalojnë çdo ditë dhjetëra fëmijë.

Aksidenti tragjik ndodhi mëngjesin e 25 majit, teksa producenti Petri Bozo që po lëvizte në aksin Elbasan-Librazhd përplasi fëmijën 7-vjeçar që ndodhej në bankinën e rrugës. Bozo pas ngjarjes u arrestua nga policia dhe në dëshminë e dhënë para grupit hetimor deklaroi se po qarkullonte me shpejtësi brenda normave të lejuara, kurse dëshmitarët thonë të kundërtën. Sipas tyre, shoferi po lëvizte me shpejtësi të lartë, autoambulanca u vonua për minuta të tëra, kurse i mituri u transportua në spital nga kalimtarë të rastit, dhe nuk iu mbijetoi plagëve.

Siç shihet edhe përmes pamjeve, në këtë aks kombëtar buzë të cilit është shkolla 9-vjeçare “Sulejman Rranci” nuk ka trotuare, nënkalime apo mbikalime, duke u shndërruar në rrezik të vazhdueshëm për banorët e Mengëlit dhe nxënësit e shkollës. Kjo nuk është hera e parë që një fëmijë gjen vdekjen në aksin Elbasan-Librazhd. Vetëm pak muaj më parë përplasja e një fëmije 9 vjeç rezultoi fatale për jetën e tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb